Reformat e të bërit biznes

Raporti i Bankës Botërore për të Bërit Biznes 2018, i publikuar me 31 tetor 2017, konfirmon progresin e konsiderueshëm në përmirësimin e mjedisit afarist duke rritur rangimin e Kosovës në vendin e 40-të në botë, nga gjithsej 190 shtete. Gjithashtu, Kosova është i vetmi shtet Evropian në radhët e 10 shteteve më të reformuara gjatë kësaj periudhe të raportimit. Për më tepër informata, shkarkoni raportin zyrtar në www.doingbusiness.org.

Sipas Raportit, Kosova ka vazhduar përmirësimin e mjedisit afarist përmes rritjes së bashkëpunimit dhe koordinimit të reformave ndërmjet institucioneve relevante të Kosovës përmes Task Forcës për të Bërit Biznes të udhëhequr nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), me mbështetjen e Bankës Botërore në Kosovë dhe Projektit të USAID Partneritetet për Zhvillim.
Kosova ka shënuar progres në disa indikatorë. Në veçanti është bërë progres i konsiderueshëm në indikatorët për:

  • Fillimi i një Biznesi, ku është shënuar përmirësimi i mëtutjeshëm i procesit për regjistrimin e bizneseve dhe implementimi i proceseve për matjen e rregullt të performancës në ofrimin e shërbimeve të regjistrimit;
  • Marrja e Kredive, për shkak të rritjes së mbrojtjes për kreditorët e siguruar në procedurë të falimentimit;
  • Përfundimi i një Biznesi, për shkak të vendosjes së kornizës moderne ligjore për riorganizim dhe falimentim të bizneseve të bazuar në praktikat e mira ndërkombëtare. Kjo është arritur përmes miratimit të Ligjit të ri për Falimentimin që është hartuar me mbështetjen e Programit të USAID për Përmbarim dhe Legjislacion Komercial.

Që nga viti 2012, Kosova është ngritur për 86 vende në Raportin për të Bërit Biznes, duke shënuar përmirësim në të gjithë indikatorët dhe në veçanti në indikatorin për Fillimin e një Biznesi ku është shënuar përmirësim me 160 vende dhe aktualisht rangohet në vendin e 10-të në botë.
Këto përmirësime janë rezultat i angazhimit të vazhdueshëm të Qeverisë së Kosovës, përmes Task Forcës për të Bërit Biznes që udhëhiqet nga MTI si dhe grupeve punuese të specializuara për secilin nga dhjetë indikatorët e Raportit të Bankës Botërore për të Bërit Biznes që udhëhiqen nga ministritë përgjegjëse për fushat përkatëse.

Reformat e fokusuara në Raportin e Bankës Botërore për të Bërit Biznes janë një mekanizëm efektiv për përafrim më të madh me BE, përmirësimin e qeverisjes dhe eliminimin e mundësinë për korrupsion si dhe heqjen e barrierave për formalizmin e ekonomisë.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, si udhëheqëse e këtij procesi tashmë ka filluar përgatitjet me mbështetjen e partnerëve kyç, duke përfshirë Bankën Botërore dhe USAID, për vazhdimin e mëtutjeshëm të këtyre reformave, për të siguruar që progresi i arritur të ruhet dhe të intensifikohet edhe më tutje.

Për më shumë kliko linkun: https://mti.rks-gov.net/Page.aspx?id=1,%203,582