Reformat e të bërit biznes

 

Kosova vazhdon me procesin e reformave lidhur me përmirësimin e mjedisit afarist sipas Raportit të Bankës Botërore për të Bërit Biznes 2020

Prishtinë, 24/10/2019

Raporti i Bankës Botërore për të Bërit Biznes 2020, i publikuar me 24 tetor 2019, konfirmon progresin gradual dhe të qëndrueshëm të Kosovës drejt krijimit të një klime të favorshme për biznes dhe tërheqje të investimeve në vendin tonë.

 

Progres i veçantë është shënuar në katër fusha:

  • MBROJTJA E INVESTITORËVE TË VEGJËL:  për shkak të hyrjes në fuqi të Ligjit për Shoqëritë Tregtare, që rrit mbrojtjen ligjore për investitorët e vegjël në korporata, rrit transparencën dhe kontrollet për transaksionet me konflikt interesi.

  • TRAJTIMI I LEJEVE TË NDËRTIMIT:  për shkak të eliminimit të kërkesës për njoftimin e autoritetit komunal për fillimin e ndërtimit dhe pranimin e inspektimit në lokacion.

  • SIGURIMI I ENERGJISË ELEKTRIKE: për shkak të përmirësimit të sigurimit të energjisë elektrike si rezultat i investimeve në infrastrukturën e rrjetit dhe për implementimit të sistemit automatik për monitorimin e ndërprerjeve të energjisë elektrike dhe rikthimin e shërbimeve.

  • ZBATIMI I KONTRATAVE:  për shkak të aprovimit të ligjit të ri për ndërmjetësim.

Progresi në këto fusha ka bërë që Kosova të njihet nga Banka Botërore si njëra nga 20 shtetet më të reformuara në Raportin e të Bërit Biznes 2020

https://www.doingbusiness.org/en/reforms/top-20-reformers-in-db2020

Megjithëse, në raportin për vitin 2020, Kosova ka shënuar një rënie në rangim në pozitën 57-të (nga pozita 44 sa ishte në vitin 2019), dallimi në rangim mes këtyre dy viteve nuk është plotësisht i krahasueshëm për shkak të ndryshimeve metodologjike dhe ndryshimit të të dhënave, që është bërë në mënyrë retroaktive nga Banka Botërore për disa vite.

Progresi i bërë nga Kosova është evident nga analizimi i të dhënave nga raporti që tregojnë se Kosova ka shënuar një përmirësim prej plus (+) 2.2 % në lehtësinë e të bërit biznes dhe ka pasur progres në 7 indikatorë nga 10 sa janë gjithsej. 

Sa i përket dy indikatorëve që mbikëqyren drejtpërdrejtë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, indikatorët Fillimi i një Biznesi dhe Mbrojtja e Investitorëve të Vegjël, në rastin e Fillimit të një Biznesi ka pasur përmirësim për 0.2%, ndërsa për Mbrojtjen e Investitorëve të Vegjël ka pasur përmirësim për 8%.

Siç është cekur tashmë, ndryshimet në rangim nga viti 2019 në vitin 2020 nuk janë plotësisht të krahasueshme për shkak të ndryshimeve metodologjike të bëra nga Banka Botërore, të cilat e prekin në veçanti indikatorin Mbrojtja e Investitorëve të Vegjël.

Që nga fillimi i procesit të reformave të bazuara në Raportin e Bankës Botërore për të Bërit Biznes, Qeveria e Republikës së Kosovës vazhdimisht ka theksuar rëndësinë e progresit gradual dhe të qëndrueshëm në përmirësimin e mjedisit afarist dhe përdorimin e kësaj metodologjie si platformë për identifikimin dhe implementimin e reformave rrënjësore, që përmirësojnë lehtësinë e të bërit biznes në vendin tonë.

Siç është theksuar në vazhdimësi, progresi i Kosovës në rangimin e Bankës Botërore për të Bërit Biznes do të jetë gjithnjë më sfidues për shkak të natyrës gjithëpërfshirëse të reformave që duhet të ndërmerren në mënyrë që Kosova të shënojë progres edhe më të madh dhe të konkurrojë me shtetet më efektive në këtë fushë.

Raporti për të Bërit Biznes 2020 vlerëson lehtësinë e të bërit biznes në 190 shtete.

Për më tepër informata shkarkoni raportin zyrtar në këtë link: https://www.doingbusiness.org/en/data/exploreeconomies/kosovo