Lajme

Ministrja Bajrami i informoi bizneset e rajonit të Pejës

Prishtinë, 28/10/2016

Në kuadër të “Ditëve të Biznesit të Vogël 2016”, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në bashkëpunim edhe me Komunën e Pejës, mbajtën sot konferencën informuese me bizneset e këtij rajoni.

Të pranishëm në konferencë ishin: kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, përfaqësues të ATK-së, Doganave të Kosovës, AZHR-së, të KEDS/KESCO, si dhe përfaqësues të institucioneve komunale dhe përfaqësues të shumtë të bizneseve të këtij rajoni. Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, në hapjen e kësaj konference, potencoi se këto konferenca po i organizojmë për të diskutuar për sfidat dhe problemet e bizneseve, ku pastaj do të mund të ndërmarrim hapat e nevojshëm institucionalë për të zgjidhur pengesat me të cilat ballafaqohen. Ministrja Bajrami, po ashtu i informoi afaristët se janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm në lehtësimin e zhvillimit të bizneseve, duke reduktuar barrierat administrative, duke bërë racionalizimin e shpenzimeve nga Qeveria, duke rritur shërbimet nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë kundrejt bizneseve, si dhe duke eliminuar burokracinë në institucionet e Kosovës. Si ndihmesë tjetër, ministrja Bajrami theksoi edhe lehtësirat që do të bëhen përmes qasjes në financa përmes Fondit Kosovar për Garanci Kreditore dhe po ashtu mundësisë së bizneseve përmes projektit për certifikimin e produkteve kosovare sipas standardeve ndërkombëtare të kualitetit. “Raporti i fundit i Bankës Botërore për të bërit biznes ka konfirmuar përmirësimin e mjedisit afarist në Kosovë, duke e ngritur rangimin e Kosovës në vendin e 60-të në nivel botëror”, bëri të ditur ministrja Bajrami. Ajo ritheksoi edhe njëherë se MTI-ja ka qenë dhe mbetet në shërbim të bizneseve sa i takon zgjidhjes së barrierave tregtare me vendet fqinje, me të cilat janë ballafaquar kompanitë kosovare dhe se kur ka qenë nevoja janë marrë edhe masa reciprociteti. Bajrami nënvizoi se Ligji për Investimet Strategjike pritet të implementohet së shpejti, duke krijuar mundësi për investime në Kosovë dhe njëkohësisht edhe në rajonin e Pejës. Ministrja u tha afaristëve që MTI do të jetë zë i fortë i mbështetjes institucionale për bizneset në vazhdimësi. Në fund të konferencës u shpallën ndërmarrjet më konkurruese në rajonin e Pejës: Top Ndërmarrja e Mesme më konkurrente e vitit u shpall kompania “MA.CON” sh.p.k; Top Ndërmarrja e Vogël “AGROPRODUCT” sh.p.k; ndërsa Top Mikrondërmarrja më Konkurrente e vitit u shpall ndërmarrja “KELMENDI GMBH” sh.p.k.