Informacione

EXBS-i i SHBA-ve i dhuron MTI-së pajisje teknologjike

Prishtinë, 12/12/2018

Ceremonia e pranimit të pajisjeve teknologjike si donacion nga projekti EXBS i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Departamentin e Kontrollit të Tregut të Mallrave Strategjike, që vepron në kuadër të Ministrisë Tregtisë dhe Industrisë.

Në emër të EXBS këto pajisje i dorëzoi z.George Clark ku edhe ofroi mbështetje të mëtutjeshme për këtë departament për ta fuqizuar rolin e sigurisë kombëtare për kontrollin e këtyre mallrave.

Në emër të departamentit, këto pajisje i pranoi Drejtori i Departamentit z.Arton Muçaj, i cili e falënderoi përfaqësuesin e Ambasadës Amerikane, gjegjësisht projektin EXBS për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme që i bëjnë këtij departamenti.

Po ashtu për mbështetjen e EXBS-it për këtë departament një falënderim e bëri edhe  këshilltari politik i ministrit të  MTI-së, Sahit Svirca, në emër të Kabinetit të Ministrit.

 


Kontrolli i tregtisë së mallrave strategjike, siguri për Kosovën

Prishtinë, 19/04/2018

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) në bashkëpunim me Departamentin e Shtetit të SHBA-së për Kontrollin e Eksportit dhe Sigurinë e Kufijve të Programit -EXBS kanë organizuar Konferencën për Industrinë e Kontrollit të Mallrave Strategjike, që ka për qëllim pajisjen e sektorit privat, industrisë me informacione, instrumente dhe udhëzime të nevojshme për të respektuar kontrollet e tregtisë së mallrave strategjike.

Me këtë rast, zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Fadil Arifi, fillimisht vlerësoi mundin, transparencën dhe gatishmërinë që kanë treguar të gjithë përfaqësuesit e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare për të arritur objektivat e parapara në rregullimin e kësaj fushe sipas standardeve dhe ligjeve në fuqi. Ai vlerësoi edhe kontributin e çmuar në vazhdimësi të Ambasadës Amerikane në Prishtinë si dhe projektin EXBS-së.

Zv.ministri Arifi, në fund të fjalimit të tij, tha se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, respektivisht përfaqësuesit politikë të saj do të jenë mbështetës kryesorë që këto procese të mos kenë pengesa, por të arrijnë qëllimin e caktuar.

Ndërsa, këshilltari rajonal i EXBS-së, George Clarke, tha se kontrolli i mallrave strategjike ka të bëjë me ndalimin e gjitha materialeve të ndaluara që cenojnë sigurinë kombëtare të Kosovës. Po ashtu, Clarke shtoi se Ambasada Amerikane do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në këtë sektor.

Arton Muçaj, Drejtor i Departamentit për Tregtinë me Mallra Strategjike në MTI, bëri të ditur se deri më tani ky departament, në regjistra, ka bërë regjistrimin e shume kompanive të cilat kanë shprehur interesim për këtë proces, që është faza paraprake dhe e obligueshme para aplikimit dhe marrjes së licencës për këto veprimtari të këtyre kompanive. Ai shtoi se nga këto kompani disa janë për tregtim të armëve dhe disa për tregti të mallrave me përdorim të dyfishtë.

Po ashtu, Muçaj i njoftoi përfaqësuesit e këtij sektori se për të aplikuar për regjistrim dhe për të marrë leje për mallra me përdorim të dyfishtë licenca është një shumë simbolike vetëm 5 euro.