Lajme

Ministri Krasniqi me Inspektoratin në terren, për ta mbikëqyrë zbatimin e Urdhëresës në sektorin e gastronomisë

Prishtinë, 25/06/2020

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi e ka përcjellë nga afër Inspektoratin e Tregut të Ministrisë në inspektime nëpër lokale për ta parë nga afër se sa po zbatohen masat mbrojtëse ndaj virusit COVID-19.

Ministri Krasniqi është ndarë i kënaqur nga respektimi i rregullave dhe masat mbrojtëse që janë marrë nëpër kafe dhe restorante, duke vlerësuar se nëse vazhdohet respektimi i masave në këtë formë nuk do të ketë masa të tjera.

“Ne ishim në inspektim së bashku me ekipin e inspektorëve për të parë nga afër sesa po zbatohet Urdhëresa administrative e lëshuar nga MTI për respektimin e masave mbrojtëse ndaj pandemisë COVID-19. Ne i vizituam disa lokale në të cilat pamë që të gjitha masat preventive janë duke i respektuar dhe ajo çka na bëri të ndihemi mirë është se qytetarët janë vetëdijesuar shumë kur dalin të pinë kafe, por gjithmonë duke i respektuar masat mbrojtëse. Nëse vazhdohet në këtë formë nuk besoj se do të ketë probleme, apo nuk do të vjen deri te mbyllja e ndonjë lokali. Ne, inspektime të tilla, me ekipin e inspektorëve jemi duke bërë vazhdimisht në terren, por sot shpreha gatishmërinë edhe vetë nga afër të shoh se sa janë duke u zbatuar ato masa, me të cilat vërtet u ndava i kënaqur”, tha ministri Krasniqi.

Ai bëri të ditur se në terren është një ekip i veçantë i inspektorëve, që bëjnë monitorimin e lokaleve, për ta parë zbatimin e urdhëresës që është lëshuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

“Ekipi i veçantë i inspektorëve është i përcaktuar që të bëjë monitorimin e të gjitha lokaleve, për të parë zbatimin në praktikë të urdhëresës. Këto janë inspektime të përditshme që bëhen gjatë ditës, por edhe në mbrëmje. Ne ju kemi mundësuar bizneseve, pasi që ekonomia e vendit ka pësuar një rënie të madhe si në çdo shtet, ta kryejnë veprimtarinë e tyre, por duke i respektuar masat mbrojtëse. Ne i lusim edhe pronarët e lokaleve tjera që t’iu përmbahen udhëzimeve që kanë dalë nga institucionet e Kosovës”, tha ministri Krasniqi.