Lajme

Inspektorati i Tregut i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë konfiskon mallra të falsifikuara

Prishtinë, 13/01/2020

Pas ankesave të shumta të qytetarëve, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, gjegjësisht Inspektorati i Tregut ka marrë aksion për konfiskimin e mallrave të falsifikuara dhe atyre pa mbulesë të faturave.

Ky aksion po kryhet për ta mbrojtur ligjshmërinë dhe markat tregtare që janë të mbrojtura me ligj.

Kryeinspektori i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Lulzim Syla ka theksuar se aksioni është duke u kryer në bashkëpunim me Doganat e Kosovës dhe Policinë, i cili do të vazhdojë në tërë territorin e Kosovës.

Syla ka theksuar se iu ka kërkuar edhe inspektorateve komunale ta zbatojnë ligjin dhe t’i largojnë nga tregu brendet e falsifikuara.

“Aksioni do të vazhdojë në tërë Kosovën dhe do të kontrollohen të gjitha mallrat dhe ato që nuk kanë mbulueshmëri ligjore do të konfiskohen. Falënderoj Policinë e Kosovës dhe Doganat për bashkëpunimin e treguar dhe ditët në vazhdim do të jemi në terren bashkë me inspektorët e MTI-së”, ka thënë Syla.

Në aksionin e sotëm nga MTI-ja janë konfiskuar qindra palë me atlete të brendeve të njohura që kanë qenë të falsifikuara dhe nuk kanë pasur mbulueshmëri me fatura.

MTI i lutë të gjithë qytetarët që nëse hasin në raste të tilla ta lajmërojnë Inspektoratin e Tregut në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, ku do të ndërmerren veprime të menjëhershme.