Lajme

MTI/KIESA ndanë mirënjohje për ndërmarrjet më të suksesshme të vitit 2019

Prishtinë, 13/12/2019

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në kuadër të aktiviteteve “Ditët e Biznesit të Vogël 2019” mbajti “Konferencën Informuese për Zhvillimin e Sektorit Privat” në Prishtinë ku morën pjesë, përfaqësues nga institucionet qendrore dhe lokale, ATK, Dogana, KEDS si dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit.

Gjatë konferencës u diskutua për sfidat e sektorit privat si dhe për shërbimet dhe programet zhvillimore që ofrohen nga institucionet qeveritare.

Nol Buzhala, U.d. i Drejtorit të Përgjithshëm të KIESA-s, foli për shërbimet dhe përkrahjen e KIESA-s për ndërmarrjet. Ai përmendi aktivitetet e KIESA-s në mbështetjen e ndërmarrësisë të cilat janë realizuar gjatë vitit 2019 si; subvencionimi i ndërmarrjeve, krijimi i zonave ekonomike, organizimi i panaireve, forumeve me qëllim të promovimin të  kompanive kosovare.

Kurse  Agim Shahini, Kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve prezantoi aktivitetet e AKB-së në mbështetje të prodhimeve vendore.

Në konferencë prezantuan edhe përfaqësues nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), Ministria e Zhvillimit Rajonal (MZHR) dhe Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë (MIN).

Po ashtu u zhvillua edhe dialog me bizneset pjesëmarrëse të cilat parashtruan pyetje rreth çështjeve  që ndërlidhen me veprimtarinë që ato ushtrojnë.

Nga MTI/KIESA u ndanë mirënjohje për 21 ndërmarrjet në kategoritë Mikro, të Vogla dhe të Mesme nga regjioni i Prishtinës, Mitrovicës, Pejës, Prizrenit, Ferizajt, Gjilanit dhe Gjakovës.

Në fund të pranishmit vizituan shtandet e bizneseve në të cilat u ekspozuan produktet vendore.