Lajme

OECD vlerëson Kosovën ndër vendet që ka përparuar shumë në implementimin e Aktit të Biznesit të Vogël

Prishtinë, 07/06/2019

Zhvillimi i Biznesit të Vogël dhe të Mesëm është shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik të vendit tha Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, gjatë konferencës ku u prezantua raporti “Indeksi i Politikës së NVM-ve: Ballkani Perëndimor dhe Turqia 2019”.

Ministri theksoi se që nga marrja e mandatit është fokusuar me të gjithë dikasteret relevantë, që të krijojë të gjitha parakushtet e nevojshme për të zhvilluar, promovuar dhe forcuar ndërmarrësinë kosovare.

“E bazoj këtë shkas duke vlerësuar rëndësinë e Aktit për Biznes të Vogël, respektivisht vlerësimin për Kosovën,  kjo sepse bizneset e vogla dhe të mesme prodhojnë shumicën e vendeve të punës dhe të ardhurave në vendin tonë. Prandaj, duke nënvizuar se bizneset e vogla kanë përballuar barrën më të madhe të këtij procesi te tranzicionit zhvillimor, me qëllimin që t’iu bëjmë me të lehtë funksionimin dhe zhvillimi e veprimtarive të tyre”, tha ministri Shala.

Shala tha se janë iniciuar një sërë masash që ndikojnë në mënyrë graduale në zhvillimin e ndërmarrësisë, duke përmirësuar qasjen në financa, përmes fondit për garantim të kredive për ndërmarrjet kosovare.

“Kemi filluar implementimin e programit mbështetës nga Banka Botërore për përmirësimin dhe certifikimin e produkteve kosovare me standarde evropiane dhe kualitetit të tyre për t’i ndërkombëtarizuar ato. Kemi dyfishuar organizimin e pjesëmarrjes se kompanive kosovare në panaire ndërkombëtare me qëllim gjetjen e bashkëpunëtorëve dhe tregjeve të reja për eksport. Kemi themeluar skemën për mbështetje direkete/subvencionim të NVM-ve në blerjen e makinerisë dhe instalimin e teknologjive të reja prodhuese. Kemi krijuar mekanizma, që ndikojnë drejtpërdrejt në krijim të një tregu të qëndrueshëm konkurrues. Kemi rritur inspektimet që konsumatori të jetë i mbrojtur”, tha Shala.  

Shala bëri të ditur se përkrahja e NVM-ve do të vazhdojë të mbetet fokus i MTI-së duke përkrahur ato në rritjen dhe avancimin e teknologjive të reja prodhuese, duke inkurajuar ndërkombëtarizimin e produkteve të tyre.

“Në të njëjtën kohë duke krijuar lehtësira të vazhdueshëm për eksport si dhe duke negociuar dhe arritur marrëveshje tregtare për qasjet në tregje të reja dhe duke realizuar të gjitha rekomandimet dhe vlerësimet që vijnë nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë  përmes programeve konkrete  vazhdon të punojë në ngritjen e konkurrueshmërisë së NVM-ve kosovare. Nga të pranishmit presim, që në fund të këtij takimi,  të marrim rekomandimin e publikimit me qëllim të përmirësimit të dimensioneve për aty ku mund të jeni evidentuar hapësira për përmirësim”, tha ministri Shala.

Ndërsa Riccardo Serri nga zyra e Bashkimit Evropian tha se duhet të ngritët sektori i NVM-ve, sepse sipas tij, ky sektor është shumë i rëndësishëm jo vetëm për BE-në, por edhe për Kosovën.

Edhe Marzena Kisielewska, udhëheqëse e Divizionit të Evropës Juglindore, tha se reformat në këtë sektorë janë zhvilluar me efikasitet. “Puna është duke u kryer në mënyrë efikase. Kam një mesazh optimist, sepse ka pasur progres në rajon dhe duhet të jeni krenar jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon dhe kjo nënkupton se pritet edhe më shumë nga ju”.

OECD ka vlerësuar se Kosova është ndër vendet që ka bërë përparim të madh në implementimin e aktit të biznesit të vogël.