Lajme

Ministri Shala nxjerr urdhëresë për transparencë me çmimet e derivateve

Prishtinë, 28/12/2018

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, në vazhdën e mbrojtjes së konsumatorit, ka nxjerrë një urdhëresë e cila i obligon të gjithë operatorët ekonomikë që ofrojnë shërbime të shitjes së produkteve të naftës, ku çdo pikë shitëse të vendosin tabelat treguese të çmimeve të produkteve të naftës (nafta, benzina dhe GLN).

Tabelat treguese të çmimeve të produkteve të naftës duhet ta kenë të pasqyruar permanent çmimin e produktit dhe të vendosen para ose në hyrje të pikës shitës dhe të ketë dukshmëri të qartë dhe çmimet të jenë të lexueshme.

Kjo urdhëresë është në vazhdën e mbrojtjes së konsumatorit dhe transparencës me çmime, që qytetari i Kosovës duhet të jetë i njoftuar gjithmonë para se të furnizohet me derivate. 

Të gjithë operatorët ekonomikë në rast të mos zbatimit do të ndëshkohen në përputhje me legjislacionin në fuqi.