Lajme

Qëndrimi i MTI-së ndaj tregtimit të karburanteve

Prishtinë, 27/12/2018

Duke pasur parasysh se aktualisht është duke u zhvilluar një debat publik përkitazi me çmimin e karburanteve në tregun e Republikës së Kosovës theksojmë se Kabineti i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë me profesionalizëm është duke analizuar shqetësimet e qytetarëve nga këndi ligjor i mbrojtjes së konsumatorit.

Siç dihet prioritet i parë i ministrit të MTI-së Endrit Shala mbetet mbrojtja e konsumatorit në tregun e Kosovës përfshirë dhe atë të karburanteve dhe MTI është duke përcjell  me fokus maksimal gjendjen aktuale të tregut edhe të naftës duke përfshirë dhe cilësinë.

MTI siç e dini ka ndërmarrë një varg vendimesh që mbrojnë konsumatorin të cilat nuk kufizohen në fusha të caktuara, por si qasje do të përfshijnë te gjitha fushat gjë për të cilën po punojmë çdo ditë.

Sa i përket shkrimeve dhe debateve në media dhe opinion publik për çmimet e naftës ditëve të fundit MTI  është duke analizuar legjislacionin aktual përfshirë dhe nenin 11 te Ligjit për Tregti me Naftë i cili nen deri më tash asnjëherë nuk ishte aplikuar, edhe pse historiku na ka siguruar të dhëna se çmimi i berëzës ndërkombëtarë të karburanteve kanë lëvizur gjithmonë.

MTI dhe Qeveria e Kosovës të gjitha vendimet e saj i bazon në analiza të sakta dhe në përputhje me legjislacion.

Ministri Endrit Shala ka urdhëruar ditë më parë departamentet përkatëse, inspektoratin dhe ka kërkuar dhe dhëna të sakta të shpjegimit të gjendjes aktuale përkitazi me lëvizjet e çmimit në berëzën ndërkombëtare, me ngarkesat doganore, akcizën dhe kosto tjera, analizë të cilën duhet ta kompletojmë raportet zyrtare institucionale.

MTI po pret raportet zyrtare dhe përfundimtare të institucioneve dhe varësisht nga rekomandimi tyre ne do të veprojmë ashtu siç na obligon ligji.

Ritheksojmë dhe sigurojmë konsumatorët, qytetarët dhe bizneset se MTI dhe Qeveria e Kosovës pas analizimit të saktë, të plotë dhe të drejt të gjendjes aktuale, do të ndërmarrë veprime dhe masa përfshirë dhe ndërhyrjet eventuale për të mos lejuar abuzimin me çmime  në dëm të konsumatorëve.

MTI do të mbështet çdo hetim nga ana Autoritetit Kosovar të Konkurrencës për të ndaluar çdo marrëveshje të fshehte apo të hapur të bizneseve në fushën e karburanteve që kanë pozitë dominuese në treg duke dëmtuar në këtë mënyrë konsumatorët.