Lajme

Ministri Shala dhe ambasadori i Austrisë dakordohen për thellim të bashkëpunimit në mes dy shteteve

Prishtinë, 30/11/2018

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka pritur në takim ambasadorin e Austrisë në Kosovës, Gernot Pfandler, që temë diskutimi ishte thellimi i bashkëpunimit në mes dy shteteve.

Ministri Shala i kërkoi ambasadorit Pfandler që Austria t’i rrisë investimet në Kosovë, duke cilësuar si njërin nga shtetet që ka ndihmuar Kosovën në procese të rëndësishme.

Ministri po ashtu e informoi ambasadorin për shkëmbimet tregtare në mes Kosovës dhe Austrisë nëpër vite, duke paraqitur edhe prioritetet e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Ministri Shala tha se ka në fokus joshjen e investitorëve të huaj, duke treguar se kanë filluar disa ndryshime në Ligjin për Investime Strategjike, në mënyrë që investitorët e huaj ta kenë shumë më të lehtë që të investojnë në Kosovë.

“Po ashtu jam shumë i fokusuar të punoj në mbrojtjen e konsumatorit, që e konsideroj si një departament me rëndësi. Kam rritur numrin e inspektimeve në terren, gjithmonë duke pasur në rend të parë konsumatorin”, tha ministri Shala.

Ambasadori i Asturisë Pfandler shprehu shqetësimin për taksën 100 për qind.

Ministri ia konfirmoi se taksa nuk do të largohet.  

Po ashtu, ministri Shala e informoi ambasadorin për produktet që hyjnë në Kosovë se duhet t’i referohen Kosovës me termin kushtetues në etiketime, ndryshe mallrat do të kthehen mbrapsht në kufi.