Lajme

Ministri Shala: I inkurajoj bizneset frankofone të investojnë në Kosovë

Prishtinë, 26/10/2018

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka thënë se janë bërë punë të rëndësishme në përmirësimin e klimës së biznesit në Kosovë, në hapjen e Forumit Frankofon, që u organizua nga Klubi Afarist Frankofon në Prishtinë.

Ministri Shala theksoi se vendet frankofone janë ndër partnerët kryesorë politikë dhe ekonomikë të Kosovës.

“Kosova ka sfida të mëdha përpara vetës si një vend i ri, por kemi bërë hapa të rëndësishëm në adresimin e tyre. MTI sa i përket kompetencave të veta kemi bërë punë të rëndësishme në përmirësimin e klimës së biznesit, siç ka treguar raporti i fundit i Bankës Botërore. Edhe këtë vit ne presim të renditemi më lartë sa i përket të përmirësimit të klimës së biznesit. Vendet frankofone janë ndër partnerët kryesorë politikë dhe ekonomikë të vendin tonë dhe jam i lumtur sot t’ju them se kemi krijuar hapësirë për të rritur bashkëpunimin ekonomik, përmes krijimit të kushteve që këta investitorë ta kenë Kosovën një vend ideal për investime”, tha Shala.

Ministri ka treguar se në kuadër të Ligjit për Investime Strategjike ka të interesuar edhe biznese frankofone për të investuar në Kosovë.