Lajme

Limaj dhe Shala fillojnë ndërtimin e Zonës Ekonomike në Suharekë

Prishtinë, 26/10/2018

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, gjatë përurimit të nisjes së punimeve për ndërtimin e infrastrukturës fizike të Zonës Ekonomike në Shirokë të Suharekës, i siguroi të gjitha bizneset se do të punojë shumë në krijimin e kushteve që ta kenë sa më të lehtë të bërit biznes.

Shala theksoi se investimi i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë prej 2.4 milionë eurosh në zonën ekonomike të Suharekës, bën kompletimin e infrastrukturës fizike dhe funksionalizimin e tërësishëm të saj. 

“Është nder dhe kënaqësi që si ministër i Tregtisë dhe Industrisë të marr pjesë në fillimin e punimeve për përfundimin komplet të infrastrukturës së Parkut të Biznesit në Suharekë. Ky është investim i MTI-së, që kap vlerën 2.4 milionë eurosh dhe me këtë do të përmbyllet e gjithë infrastruktura fizike e Parkut të Biznesit në Suharekë. Ashtu siç e tha edhe zëvendëskryeministri Limaj, unë sot përmes jush dua t’i siguroj të gjitha bizneset për përkushtimin tim dhe të MTI-së, që bizneseve do t’iu ofrojmë kushte që ta kenë më të lehtë të bërit biznes në Kosovë”, ka thënë ministri Shala.

Ndërsa, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj theksoi se Qeveria e Kosovës ka mbajtur premtimin për parkun e biznesit, dhe sipas tij, po përmbyllet një projekt që është promotor i zhvillimit ekonomik të Suharekës, por edhe i regjionit të Prizrenit.

“Qeveria e Kosovës ka mbajtur premtimin për parkun dhe zyrtarisht do të përfundojë një herë e mirë dhe t’i krijojë qasje në autostradë. Ndihem krenar që sot kemi ardhur me përmbyllë një projekt të madh që është promotor i zhvillimit jo vetëm të Suharekës, por edhe i të gjithë regjionit të Prizrenit,” theksoi Limaj.