Lajme

MTI mbështet “Panairin Gjilani 2018”, ministrja Krasniqi thotë se do të jetë tradicional

Prishtinë, 26/09/2018

Ushtruesja e detyrës së ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Arbëreshë Krasniqi, bashkë me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi dhe kryetarin e Gjilanit, Lutfi Haziri kanë bërë hapjen e panairit “Panairi i Gjilanit 2018”, ku po marrin pjesë rreth 120 biznese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi.

Ministrja Krasniqi ka thëne se MTI do të vazhdojë t’i mbështet fuqishëm iniciativat e tilla që i japin kuptim ekonomisë.

“Më gëzon fakti që një numër i madh i qytetarëve po interesohen për këtë panair. Pa asnjë dyshim Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka mbështetur fuqishëm “Panairi Gjilani 2018” dhe po e ritheksoi se ne do të vazhdojmë edhe më tutje t’i përkrahim këto iniciativa që vërtet i japin kuptim ekonomisë”, tha Krasniqi.

Krasniqi tha se e gëzon fakti që ky panair ka mbledhur bizneset nga vendet fqinje, duke shpresuar që “Panairi Gjilani 2018”, të bëhet tradicional.

“Ndjehem mirë që sot Gjilani është si vend lokacion që bashkon bizneset dhe është shumë domethënëse që sot këtu kemi biznese  nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës. Sigurisht që bashkëpunimi në mes bizneseve e fuqizon ekonominë tonë. Pjesëmarrja e bizneseve në numër kaq të madh, tregon se bizneset mbarë rajonale kanë pasur nevojë të takohen dhe t’i shkëmbejnë përvojat e tyre. Uroj që ky panair të bëhet tradicional dhe të jetë edhe më i suksesshëm”, ka theksuar Krasniqi.

Në këtë panair po marrin pjesë biznese nga sektori i ushqimit, artizanatet, shërbimet, prodhimi dhe përpunimi i drurit. Panairi do të jetë i hapur 3 ditë në qendër të qytetit të Gjilanit.