Lajme

Ministri Hasani vizitoi Odën Ekonomike të Kosovës: Nuk lejojmë që askush të luaj me bizneset tona

Prishtinë, 07/08/2018

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka vizituar kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqin, ku është diskutuar për bashkëpunimin në mes dy institucioneve dhe adresimin e problemeve të bizneseve.

Ministri Hasani e ka uruar për detyrën e re Rukiqin dhe i ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim.

“Sot kemi pasur dëshirë ta vizitojmë kryetarin e ri, t’ia urojmë detyrën dhe t’i tregojmë që Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe unë si ministër do të fillojmë bashkëpunimin edhe më të thelluar, sepse mendojmë se Oda Ekonomike e Kosovës duhet të shihet si referencë kryesore e kontaktit për t’i shfaqur shqetësimet e bizneseve”, ka thënë Hasani.

Ministri Hasani bëri të ditur se kanë diskutuar me Rukiqin edhe për problemin e bizneseve me energjinë elektrike.

Hasani ka thënë se nuk do të lejojnë që të luaj askush me bizneset dhe problemet e tyre do të trajtohen shumë seriozisht, e sidomos ato më energji elektrike.

“Sa i përket KEDS-it, MTI është adresë që bizneset çdo ditë kanë ankesa për KEDS-in dhe ne jemi të interesuar ta gjejmë një modalitet që ndoshta përveç pikës së kontaktit, ta bëjmë që të jetë edhe pjesë e Këshillit Kombëtar, që të gjendet një mekanizëm, të formohet një grup që të ketë një mbikëqyrje më të rreptë për KEDS-in, apo kushdo qoftë ai investitor. Ne nuk jemi për t’iu përzier sektorit privat, por jemi për t’i mbrojtur bizneset dhe nuk lejojmë që askush të luajë me bizneset tona. Faktet, ankesat dëshmojmë që KEDS-i i shfaq disa pengesa që duhet t’i adresojmë dhe t’i diskutojmë. Shumë biznese private kanë bërë investime me paret e tyre dhe ai investim kalon në pronë të KEDS-it, këtu ka mundësi shteti ta mbikëqyrë dhe nuk duhet të lejohen të keqtrajtohen. Këto duhet të trajtohen seriozisht”, ka thënë ministri Hasani.

Ndërsa kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, theksoi se ministri Hasani i ofroi bashkëpunim dhe gatishmëri për t’i adresuar problemet e bizneseve.