Lajme

Ministri Bajram Hasani: Kamenica së shpejti me Zonë Ekonomike

Prishtinë, 02/08/2018

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani ka takuar kryetarin e Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastratin, ku është diskutuar për krijimin e Zonës Ekonomike dhe përkrahjen e kësaj komune.

Ministri Hasani tha se nëse ecin procedurat Kamenica do të bëhet me Zonë Ekonomike në vitin 2019.

Ministri vlerësoi se krijimi i Zonave Ekonomike është jetike për funksionimin e bizneseve dhe rritjen e vendeve të punës.

“Biseduam për problemet, punët dhe zhvillimin e komunës. Ne jemi të vendosur që aty ku mundemi, t’i mbështesim bizneset dhe t’iu krijojmë mundësi dhe hapësirë për ta zhvilluar veprimtarin e tyre. Një ndër elementet që duhet të krijohen janë zonat ekonomike, sepse edhe për thirrjen e investitorëve  është pika e parë që t’u jepet hapësirë dhe mundësi. Edhe në Komunën e Kamenicës pjesën e Anamoravës jemi të interesuar që të krijohet një Zonë Ekonomike, që t’u jepet mundësi bizneseve lokale. Ne presim nga komuna dhe ramë dakord me kryetarin që t’i gjejmë hapësirat dhe të na e sjellin dokumentacionin dhe të fillojmë më fazën e shpronësimit dhe shpalljes së Zonës Ekonomike. Nëse ecin procedurat, ne si MTI zotohemi që në vitin 2019 do të fillojmë investimin. Ky është një lajm i mirë për Kamenicën, sepse bizneseve iu mundësohet funksionimi më i mirë dhe kjo Zonë Ekonomike krijon vende pune, që më së shumti ka nevojë Komuna e Kamenicës e edhe Kosova”, tha ministri Hasani.

Kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, tha se komuna është e gatshme të ndjekë të gjitha procedurat për fillimin e një zone ekonomike dhe vlerësoi gatishmërinë e ministrit Hasani për ta ndihmuar këtë komunë.

“E falënderoj ministrin Bajram Hasani për këtë vizitë dhe këtë bashkëpunim. E njoftuam për gjendjen e Kamenicës dhe diskutuam se si interesimi i ministrisë është për t’i ndihmuar prodhuesit vendorë, gjë që ndikon direkt në zhvillimin e Komunës së Kamenicës. Gjithashtu, diskutuam edhe për çështjen e zonave ekonomike, sepse ne jemi një prej komunave që jemi afër me tregun e Evropës dhe morëm premtim që do ta kemi mbështetjen e ministrisë. Ministri Hasani tregoi që e ka vullnetin dhe dëshirën për të na ndihmuar. Ne do t’i ndjekim procedurat e shpronësimit. Ministri na tregoi se e ka gatishmërinë dhe dëshirën dhe çka i takon ministrisë do ta mbështes komunën tonë”, tha Kastrati.