Lajme

Hapet panairi “Gratë në Biznes”, ministri Hasani premton përkrahjen e MTI-së për gratë në ndërmarrësi

Prishtinë, 30/07/2018

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka hapur panairin “Gratë në Biznes 2018”, që po marrin pjesë rreth 21 biznese dhe shoqata të grave ndërmarrëse.

Ministri Hasani tha se mbështetja e grave në biznes do të vazhdojë të jetë prioritet i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

“E kemi prioritet që t’i ndihmojmë, mbështesim dhe inkurajojmë gratë në biznes, që sa më shumë të kemi iniciativa të tilla dhe ta fuqizojmë prodhimin vendor”, tha ministri Hasani gjatë hapjes së panairit.

Miniatri theksoi se presin nga gratë që të kenë më shumë iniciativa të tilla dhe të dorëzojnë sa më shumë projekte për mbështetje.

“Ne presim që këtë vullnet si Ministri e Tregtisë ta shfrytëzojnë gratë me iniciativa ndërmarrëse që sa më shumë të dorëzojnë projekte, por  t’i dorëzojnë edhe kërkesat dhe ankesat e tyre që i kanë, që ta kenë më të lehtë zhvillimin e biznesit”, tha Hasani.

Ministri i inkurajojë gratë që të punojnë shumë duke i garantuar se do ta kenë mbështetje.

“Dëshiroj që gruaja t’i fitojë ato të drejta me meritë dhe punë dhe jo të kemi kuota kufizuese. T’i japim mbështetje dhe hapësirë që të drejtat të fitohen me punë. Kjo është më e mira dhe e drejta. Faleminderit për të gjitha gratë që kanë marr këtë iniciativa dhe unë ju siguroj si ministër i Tregtisë dhe Industrisë se do ta keni përkrahjen e fuqishme”, tha ministri.

Panairi “Gratë në Biznes 2018”, është i hapur në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë nga 30 korriku deri më 1 gusht 2018.

Në panair do të marrin pjesë rreth 21 biznese dhe shoqata të grave ndërmarrëse, që gjatë panairit do t’i promovojnë dhe shesin produktet e tyre.