Lajme

Sllovenët të interesuar për investime në energji përmes riciklimit të mbeturinave

Prishtinë, 28/06/2018

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani ka pritur në takim një delegacion të biznesmenëve sllovenë që kanë shprehur interesim për të investuar në Kosovë në fushën e riciklimit të mbeturinave.

Ministri Hasani e informoi për kushtet që i ofron Kosova për investitorët e huaj dhe për Ligjin e Investimeve Strategjike që ka një mori lehtësirash.

“Sa i përket ministrisë që drejtoj unë, është e thirrur për ofrimin e kushteve për investitorë dhe jemi bartës të Ligjit për Investime Strategjike. Ky ligj e parasheh që çdo investim mbi 10 milionë euro mund ta marr statusin e investitorit Strategjik. Marrja e këtij statusi është marrje e përgjegjësisë për ecjen e të gjitha procedurave dhe jemi të obliguar që t’ia krijojmë të gjitha kushtet në afatin ligjor dhe po ashtu kemi obligim ligjor që t’ia sigurojmë vendin ku do të vendoset”, tha Hasani.

Ministri theksoi se Kosova ka marr një sërë reformash fiskale që mundësojnë operimin edhe më të lehtë të bizneseve.

Investitorët slloven shprehën interesim që të investojnë në Kosovë në lëmin e riciklimit të mbeturinave dhe materialeve të rrezikshme.

Teknologjia që parashihet të vijë në Kosovë është me e reja, që është shpikur para dy vitesh dhe që funksionon në Zvicër dhe është shumë speciale për asgjësimin e mbetjeve të rrezikshme.

Teknologjia që parashihet të vijë në Kosovë punon në temperatura shumë të larta, 1200 gradë celsius dhe materialet që digjen i shndërron në gaz (plin) dhe prodhon energji elektrike.

Vlen të theksohet se makineria i ka të gjitha testet dhe është e licencuar në Bashkimin Evropian. Është shumë ekologjike dhe miqësore për ambientin. Investimi parashihet të jetë mbi 10 milionë euro varësisht nga sigurimi i lëndës së parë.