Lajme

Zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, z. Fadil Arifi ka pritur në takim përfaqësuesen e RCC-së (Këshilli për Bashkëpunim Rajonal), znj. Dragana Djurica – eksperte e lartë për kokurrueshmeri.

Prishtinë, 05/06/2018

Takimi është mbajtur në kuadër të thellimit të bashkëpunimit në fushën e turizmit. Zëvendësministri z. Arifi ka thënë se përmirësimi i turizmit përbën një pjesë të rëndësishme të detyrimeve që rrjedhin edhe nga MSA, e cila u nënshkrua ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, që hyri në fuqi në prill të 2016-tës.

“Procesi i zbatimit të kësaj Marrëveshjeje pasohet nga Plani Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes se MSA-se, kapitulli 20: Politikat e ndërmarrjeve dhe ato të industrisë, ku parashihet përafrimi i legjislacionit të Kosovës me Acquis të BE-së. Neni 101  i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit mbi turizmin parasheh një zhvillim të balancuar dhe të qëndrueshëm të turizmit, duke studiuar mundësitë për operacione të përbashkëta dhe forcimin e bashkëpunimit në mes të ndërmarrjeve turistike, të ekspertëve, institucioneve dhe agjencive të tyre kompetente në fushën e turizmit, gjithmonë duke marrë parasysh acquis-in e BE-së për këtë fushë”, ka thënë z. Arifi.

 

z. Arifi ka theksuar se turizmi sot është ndër industritë më të mëdha që krijojnë vende pune më shumë se shumica e sektorëve të tjerë.

“Vendet në zhvillim si Kosova kanë mundësinë të përfitojnë nga turizmi, veçanërisht në uljen e varfërisë dhe rritjen e zhvillimit ekonomik. Megjithatë, për ta zhvilluar si sektor, qeveritë duhet të marrin disa masa në mënyrë që të tërheqin turistë të huaj dhe vendorë për të shpenzuar paratë e tyre. Megjithëse turizmi nuk është një sektor shumë i zhvilluar në Kosovë, turizmi natyror, kulturor dhe historik janë përvojat më të kërkuara të udhëtimit”.

 

Sipas zv. Ministrit Arifi, mundësitë që ofron Kosova janë në përputhshmëri me zhvillimin e turizmit jo vetëm për një sezon, por edhe gjatë katër stinëve të vitit.

“Bukuritë natyrore dhe kulturore që ka Kosova: luginat, lumenjtë, liqenet, ujëvarat, shpellat, banjat termike, parqet kombëtare, pastaj trashëgimia kulturore-historike, (disa në listën e trashëgimisë së UNESCO-s), zona të ndryshme rurale dhe urbane, nuk kanë qenë ndonjëherë më mirë të gërshetuara si nga ana profesionale ashtu edhe ajo artistike dhe të prezantuara në një format të tillë”, tha Arifi.

 

Në anën tjetër znj. Djurica,  eksperte e lartë për konkurrueshmëri nga RCC, shprehu falenderimin për bashkëpunimin me  Kosovën si  vend anetar i Ballkanit në Keshillin për Bashkëpunim Rajonal dhe poashtu  njoftoi zv. Ministrin Arifi për projektin e ri regjional në fushën e turizmit „Triple P Tourism“ i cili kryesisht do të përfshijë fushën e turizmit kulturor dhe aventuristik.  Ajo potencoi se në këtë projekt do të përfshihen 6 vendet e Ballkanit ku  bënë pjesë edhe Kosova.  Ajo njoftoi zv. Ministrin se projekti pritet të lansohet në Sarajevë me 27 dhe 28 Qershor ku do të zgjasë 3 vite dhe do të jetë në vlerë prej 5 mil. EUR.

Në pjesën e dytë të takimit janë bashkangjitur edhe përfaqesuesit e OJQ-ve dhe agjencive të ndryshme të Kosovës në fushën e turizmit, të cilët janë njoftuar më detajisht me aktivitetet e projektit regjional nga ekspertët e RCC-se, znj. Milena Filipovic, ekperte e turizmit kulturor dhe z. Alban Rafuna, ekspert i turizmit aventuristik.