Lajme

NJOFTIM PËR INICIMIN E HETIMIT LIDHUR ME ZBATIMIN E MASAVE MBROJTËSE NË IMPORTE

Prishtinë, 11/04/2018

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, në pajtim me nenin 7, paragrafi 3, të Ligjit nr. 04/L-047 për Masat Mbrojtëse në Importe, si dhe nenet 23, 23 bis dhe 24 të Marrëveshjes CEFTA; dhe pas konstatimit, siç parashihet në nenin 8 të Ligjit për Masat Mbrojtëse në Importe, se ka bazë të mjaftueshme për të përcaktuar se rritja e importit, si dhe kushtet në të cilat kryhet ky import, kërcënojnë t’u shkaktojnë dëme serioze prodhuesve vendorë të produkteve të ngjashme, inicion hetimin lidhur me qumështin e importuar me origjinë nga Bosna dhe Hercegovina.

Përshkrimi

Në pajtim me nenin 1 dhe paragrafin 1 të nenit 2 të Ligjit nr. 041/L-047, si dhe dispozitat përkatëse të Marrëveshjes CEFTA, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është e autorizuar, në bazë të dëshmive të mjaftueshme, të zbatojë ligjin për të mbrojtur prodhuesit e produkteve të qumështit kur kërcënohen të përjetojnë dëme serioze nga importi i qumështit me origjinë nga Bosnja dhe Hercegovina. 

Produkti i hetuar

Hetimi mbulon importin e qumështit dhe kremit, as i koncentruar as që përmban sheqer shtesë apo ndonjë lëndë tjetër ëmbëlsuese shtesë, sipas klasifikimit në Nomenklaturën e Kombinuar në kategoritë e mëposhtme:

0401101000; 0401109000; 0401201100; 0401201900; 0401209900; dhe, 0401209100.

Periudha e hetimit

Hetimi do të kryhet brenda nëntëdhjetë (90) ditësh nga data e publikimit të këtij njoftimi. 

Për më tepër informata, ju lutem kontaktoni Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në adresën më poshtë:

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Rr. Muharrem Fejza p.n, Lagjja e Spitalit, 10000 Prishtinë

Departamenti i Tregtisë

Nr. i telefonit të zyrës:  +381 38 200 36 623