Lajme

Thaçi: Direktiva e BE-së do të ndihmojë Kosovën në realizimin e potencialit dhe krijimit të vendeve të punës

Prishtinë, 22/03/2018

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë kanë mbajtur konferencën për media lidhur me projektin "Asistenca për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, Direktiva e Shërbimeve të BE-së".

Me këtë rast, zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Faton Thaçi, ka thënë para të pranishmëve se Kosova është duke kaluar në disa procese në rrugëtimin e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Zëvendësministri Thaçi ka theksuar se liria e lëvizjes së themelimit dhe shërbimeve është ndër katër liritë themelore në Bashkimin Evropian (së bashku me lirinë e lëvizjes së mallrave, personave dhe kapitalit).

“Prandaj, zbatimi i lirisë së shërbimeve - Direktivës së Shërbimeve rrjedh si obligim për Republikën e Kosovës (vendin tonë) nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimi, ku në nenin 58 të kësaj  marrëveshje obligohet Kosova ta trajtojë dhe ta rregullojë lëvizjen e shërbimeve brenda pesë viteve. Kam nderin t’ju adresohem sot lidhur me përfundimin e projektit të financuar nga BE “Asistenca për Implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit – Direktiva e Shërbimeve të BE-së”. Siç mund ta dini, objektiva e përgjithshme e këtij projekti është lehtësimi i implementimit të MSA përmes mbështetjes së harmonizimit dhe implementimit të legjislacionit kosovar me legjislacionin e BE-së në fushën e shërbimeve. Kjo do të thotë se projekti ka transpozuar në njërën nga pjesët më të ndjeshme të legjislacionit të BE-së - Direktivën e Shërbimeve në sistemin ligjor nacional”, ka theksuar Thaçi.

Ai më tej ka shtuar se objektiva e Direktivës së Shërbimeve është që të arrihet progresi drejt një tregu të brendshëm të vërtetë të shërbimeve ashtu që, në sektorin më të gjerë të ekonomisë evropiane, si bizneset ashtu edhe konsumatorët t’i shfrytëzojnë maksimalisht mundësitë që ai ofron.

“Duke mbështetur zhvillimin e një Tregu të Brendshëm të Shërbimeve vërtetë të integruar, Direktiva do të ndihmojë në realizimin e potencialit të konsiderueshëm në aspektin e rritjes ekonomike dhe krijimit të vendeve të punës në sektorin e shërbimeve në Kosovë dhe në regjion. Për këtë arsye, Direktiva e Shërbimeve është një element qendror i çfarëdo procesi për reformat ekonomike. Për më tepër, përmes ofrimit të thjeshtësimit administrativ, Direktiva gjithashtu paraqet një vazhdimësi të aktiviteteve të projektit paraprak Guillotine, dhe është qenësor në masat e tjera nacionale për krijimin e një mjedisi të favorshëm biznesor dhe përmirësimin e klimës së investimeve në Kosovë, e që nën anën tjetër e zvogëlon barrën administrative për bizneset në sektorin e shërbimeve”, ka thënë zëvendësministri Thaçi.

Sipas tij, pjesa më e rëndësishme e projektit ishte aktiviteti i shqyrtimit të legjislacionit sektorial, i cili rregullon qasjen në shërbimet individuale dhe ushtrimin e tyre.

“Përfitimet e këtij shqyrtimi janë jashtëzakonisht të mëdha. Kjo ka shpie në shqyrtimin e legjislacionit dhe në përgatitjen e Planit të Veprimit për ndryshimet e tij ashtu që të arrihen përfitimet e plota nga implementimi i Direktivës së Shërbimeve të BE-së.  Ajo çfarë më bën veçanërisht krenar është se të gjitha rezultatet kyçe të realizuara që nga maji 2016 nuk janë vetëm punë e një ministrie të vetme – MTI, por në fakt janë rezultat i një koordinimi dhe bashkëpunimi mes gati të gjitha ministrive të linjës, një numri të lartë të agjencive dhe organeve tjera në nivel qendror dhe lokal, përfshirë shoqatat profesionale në sektorin e shërbimeve”, ka nënvizuar Thaçi.

Zëvendësministri ka theksuar se administrata e Kosovës është e aftë për punë të koordinuar dhe dhënie të rezultateve, që priten gjatë procesit të MSA.

“Ky projekt ishte një test i vërtetë për procesin e ardhshëm drejt anëtarësimit dhe ofron një mësim shumë të çmuar të mësuar nga Administrata e Kosovës. Kjo përvojë gjithashtu paraqet një nga rezultatet më të rëndësishme dhe më të qëndrueshme të projektit. Gjithashtu, ju falënderoj të gjithëve që jeni sot me ne, dhe që po na jepni mundësinë që t’i paraqesim arritjet tona të fundit, por edhe përpjekjet e bëra në procesin e MSA në periudhën e fundit. Një falënderim i veçantë shkon për Zyrën e BE-së në Kosovë për mbështetjen e MTI në implementimin e detyrave aq të rëndësishme, dhe shpresoj në bashkëpunimet tona produktive si pjesë e programeve tjera të financuara nga BE”, përfundoi zëvendësministri Thaçi.

Ndërsa, Luigi Brusa, shef i Sektorit për Bashkëpunim nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, gjatë diskutimit të projektit  "Asistenca për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit , Direktiva e Shërbimeve të BE-së" tha se legjislacioni i përgatitur nga pala kosovare ka bërë që operatorëve ekonomikë t’iu mundësohet zmadhimi i tregut në Bashkimin Evropian.