Lajme

Zëvendësministri Faton Thaçi shpalosi të arriturat dhe sfidat e MTI-së në 10-të vjetorin e pavarësisë ekonomike të vendit

Prishtinë, 13/02/2018

Zëvendësministri i MTI-së, Faton Thaçi, në fjalimin e tij drejtuar komunitetit të bizneseve nga paneli i organizuar nga OEK, me rastin e 10-të vjetorit të Pavarësisë së Republike së Kosovës, tha se gjatë viteve të shkuara, Kosova ka shënuar trend pozitiv të rritjes ekonomike si:  integrimi në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare, tërheqja e Investime të Huaja Direkte (IHD), përmirësimi  i kornizës ligjore (harmonizimi me ato të Bashkimit Evropian), përmirësimi i  infrastrukturës, forcimi i institucioneve demokratike të qëndrueshme dhe shndërrimi në një ekonomi të udhëhequr nga parimet e tregut të lirë me konkurrencë të barabartë.

Ndër të tjera, ai shtoi se ekonomia Kosovare, në jubilarin “10 Vite të Pavarësisë Ekonomike”, mund të themi dhe vlerësojmë se ka shënuar një rritje të ndjeshme prej viti në vit, e që rritja është bazuar në një model të veçantë të zhvillimit në dy shtylla.

Shtylla e parë janë remitancat e mëdha dhe IHD-të nga diaspora që rrisin kërkesën e brendshme nëpërmjet konsumit familjar, ndërsa shtylla e dytë është niveli i lartë i investimeve publike.

Zëvendësministrit Thaçi theksoi se kombinimi në mes të konsumit të lartë dhe eksportit të ulët ka rezultuar në deficit shumë të lartë tregtar. “Duke pasur parasysh rreziqet që lidhen me një model të tillë të zhvillimit, sfida kryesore për Kosovën është që të krijojë kushte të favorshme të vetë-qëndrueshme bazuar në rritjen e produktivitetit të brendshëm dhe konkurrencën e eksportit, të cilat kanë për qëllim zvogëlimin e papunësisë së lartë dhe varfërisë”, potencoi ai.

Thaçi, më tutje, u shpreh se faktorët që zvogëlojnë punësimin janë pengesat për rritje ekonomike në Kosovë: viteve të fundit janë identifikuar pengesat kyçe që pengojnë rritjen ekonomike, ku ndër pengesat tjera janë: Mjedisi sfidues  për biznese, Infrastrukturë e dobët, mospërputhje e Arsimit dhe Tregut të Punës, ku këto pengesa zvogëlojnë punësimin dhe Inovacionin.

Z. Thaçi ritheksoi se identifikimi i këtyre faktorëve dhe faktorë tjerë të identifikuar përmes takimeve intensive me palët e interesit, konkretisht bizneset, prodhuesit, fermerët, etj.,  si barrierë kryesore që kanë ndikuar në zhvillimin ekonomik, Qeveria aktuale e Kosovës konkretisht MTI-ja politikat e saj zhvillimore i ka orientuar dhe përqendruara me prioritet të lartë në krijimin e kushteve stimuluese për nxitjen e zhvillimit të sektorit privat, në veçanti për zhvillimin e bizneseve të vogla dhe të mesme.

Ndër detyrat dhe përgjegjësitë e MTI-së janë:

  1. Krijimi i kushteve sistemore për tregti, industri dhe punë komerciale; dhe
  2. Krijimi i politikave të punës dhe zbatimi i legjislacionit për përkrahjen e konkurrencës së mirëfilltë.

Republika e Kosovës tanimë ka ndërmarrë obligime kontraktuale përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ku parashihen reforma në dikastere të ndryshme, me theks të veçantë reforma në ekonomi.

MTI-ja së fundi ka hartuar Strategjinë për Zhvillimin e Sektorit Privat 2017-2021, ku ka paraparë masa të ndryshme me qëllim lehtësimin e të bërit biznes dhe eliminimin e barrierave të ndryshme tregtare dhe teknike.  

Ai, më tej, tha se MTI ka zhvendosur vëmendjen e saj në mbrojtjen e prodhuesve vendorë nga importet e huaja në rastet kur ekzistojnë praktika jo të mira tregtare. Fokusi ynë është tek industritë të cilat kanë potencial zhvillimi dhe ato industri të cilat janë në hapat e parë të zhvillimit.

Duke qenë se MTI në portofolin e saj përfshin marrëveshjet tregtare dhe eliminimin e barrierave tarifore dhe jo-tarifore, do të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv dhe parimor në përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare gjithmonë mbi parimin e respektit të ndërsjellë midis vendeve.

Zëvendësministri Thaçi ne fund theksoi se synimi i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë është që të  përkrahë edhe më tej prodhuesit vendorë në rritjen e kapaciteteve të tyre prodhuese dhe konkurruese me të vetmin qëllim që konsumatorit vendor t’i ofrohen produkte cilësore dhe kompanitë kosovare të jenë të konkurrueshme në rajon dhe më gjerë, duke maksimizuar përfitimet nga marrëveshjet tregtare të cilat Kosova i ka nënshkruar.