Lajme

MTI nënshkruan marrëveshjen me SIDA-n për mbështetje të Fondit Kosovar për Garantimin e Kredive

Prishtinë, 06/12/2017

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani nënshkroi marrëveshjen me organizatën suedeze SIDA për mbështetjen e Fondit Kosovar për Garantimin e Kredive në Kosovë.

Ky Fond parasheh mbështetje  në vlerë prej 10 milionë eurosh, që do të jetë mjaft profitabile për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Kosovë.

Ministri Bajram Hasani, në fjalimin e tij, tha se Fondi Kosovar për Grananci Kreditore është instrument i rëndësishëm për nxitjen e investimeve dhe të punësimit.

Më tej, ai shtoi se ne si Ministri e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) do të vazhdojmë të japin kontributin e tyre ndaj këtij fondi, duke shqyrtuar të gjitha mundësitë për zgjerimin e tij. "Politikat e MTI-së, janë të përqendruara në krijimin e kushteve stimuluese për nxitjen dhe zhvillimin e sektorit privat, e veçanërisht për NMV-të. Në politikat dhe strategjitë e zhvillimit, dominon tendenca për zhvillimin e sektorit prodhues në mënyrë që Kosova të shndërrohet nga një shoqëri konkurruese në një shoqëri prodhuese. Fondi Kosovar për Garanci është një shtyllë shumë e rëndësishme e zhvillimit ekonomik të Kosovës”, theksoi ministri Hasani.

Në mbështetje të këtij fondi u shpreh edhe ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie,i cili theksoi se ndjehet i lumtur që ambasada e Suedisë po mbështet Fondin Kosovar për Garanci Kreditore. Ai tha se ky fond mundëson krijimin e tregjeve të reja, ndërsa theks të veçantë i dha çështjes së grave ndërmarrëse, për të cilat tha se të gjitha institucionet duhet të ndihmojnë fuqizimin e tyre në fushën e ndërmarrësisë.      

Ndërsa, Andres Wollter, përfaqësues nga ambasada suedeze tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshje është vazhdimësi e mbështetjes së mëparshme që Suedia ka dhënë dhe jep për Kosovën, së bashku me USAID, KFË dhe donatorë të tjerë, porse sipas tij, Kosova ka qenë me rëndësi kyçe në sigurimin e fondeve nga resurset e veta për fondet.

Mbështetja në shumë prej 10 milionë euro për Fondin Kosovar për Garanci Kreditore, sipas z. Wollter, do të ndihmojë  në zhbllokimin e vlerave të likuidetit shtesë në sistemin bankar dhe se rruga drejt pjesëmarrjes në një treg të përbashkët do të jetë e gjatë dhe e bezdisshme, porse Kosova do të arrijë të jetë pjesë e këtij tregu.