Lajme

Zëvendësministri Faton Thaçi u takua me drejtorin e  BME, Olaf Holzgrefe

Prishtinë, 01/12/2017

Sot, Oda Ekonomike Gjermane në Kosovë (OEGJK), me përkrahje te GIZ, ka sjellë në Kosovë Olaf Holzgrefe drejtor në  BME (Asociacioni për Menaxhim të Zinxhirit të Furnizimit, Prokurimit dhe Logjistikës), ku në një drekë pune është takuar edhe me  zëvendësministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Faton Thaçin.

 Z.Holzegrefe shfletoi historikun e këtij asociacioni, ku tha se BME ka mbi 9500 anëtarë individualë dhe korporata- nga biznese të vogla deri në ndërmarrje të mëdha. Në vitin 2010, vëllimi blerës i anëtarëve të BME ka arritur shumën prej 1.25 trilion euro, që paraqet rreth gjysmën e bruto produktit vendor (GDP) gjerman.

Në maj të këtij viti, BME, në bashkëpunim me Ministrinë Federale për Ekonomi dhe Energji dhe Odat Ekonomike Gjermane (DIHK), ka organizuar konferencën e tretë “Purchasing Initiative Western Balkans” në Beograd. Konferenca, e cila do të organizohet edhe në vitin 2018, është iniciuar nga qeveria gjermane, si vazhdimësi e procesit të Berlinit për ta mbështetur zhvillimin ekonomik të vendeve të Ballkani Perëndimor. Ndërmarrjet gjermane, përmes kësaj iniciative, inkurajohen që të gjejnë furnitorë në vendet e Ballkanit Perëndimor. Deri më tani vetëm një ndërmarrje nga Kosova ka marrë pjesë në takimet B2B në këtë konferencë.   

Drejtoresha e OEGJK-së, Nora Hasani thotë se nisma të tilla duhet të bëhen akoma më të njohura, me qëllim që të rritet interesimi i bizneseve nga Kosova për të marrë pjesë. 

“OEGJK ka për synim ta bëjë këtë nismë të qeverisë gjermane më të njohur te komuniteti i biznesit me qëllim që vitin e ardhshëm të kualifikohen më shumë prodhues kosovarë që të marrin pjesë në takimet B2B, që zhvillohen në kuadër të kësaj konference”, tregon Nora Hasani.

Zëvendësministri Thaçi fillimisht i dëshiroi mirëseardhje z. Holzgrefe dhe më pas shtoi se kjo iniciativë është e mirëseardhur për vendin tonë, sepse është një urë lidhëse në mes Kosovës dhe shteteve te rajonit dhe Evropës. Ai theksoi se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë posedon listën e bizneseve të strukturuara sipas veprimtarive ekonomike të cilat informata mund t’i dërgojmë përmes Odes Ekonomike Gjermane në Kosovë në mënyrë që bizneset tona të përfaqësohen më mirë në konferencën që do të mbahet në Frankfurt, ku bizneset kosovare kanë mundësinë e komunikimit biznes me biznes (be to be), për të promovuar produktet e tyre dhe se si rezultat i këtij komunikimi direkt do ta krijojnë mundësinë e eksportit të produkteve të tyre në vendet e rajonit dhe botës.

Në fund të kësaj dreke punë, zëvendësministri Thaçi e falënderoi z. Holzgrefe për hapjen e mundësive të bashkëpunimit të ndërsjelle në mes të Republikës se Kosovës dhe shtetit të Gjermanisë.