Lajme

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani ka qëndruar sot për një vizitë në Tiranë

Prishtinë, 08/11/2017

Ai gjatë kësaj vizite është takuar me presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi si dhe me ministrin e Turizmit dhe Mjedisit, Bledi Klosi.

Ministri Hasani në këtë vizitë është shoqëruar edhe nga zëvendësministri i Bujqësisë, Vesel Krasniqi.
Pas takimit me ministrin Peleshi, Hasani ka thënë se janë zotuar për krijimin e lehtësirave në produktet e dy vendeve që të eksportohen në Kosovë e Shqipëri.
Dy ministrat janë dakorduar që të krijojnë një strategji kombëtare për lehtësimin e barrierave doganore për produktet e dy vendeve.
Hasani ka thënë se strategjia kombëtare për të cilën u dakorduan me ministrin Peleshi, do të mundësojë që produktet që prodhohen në Shqipëri të mund të eksportohen pa probleme në Kosovë, sikurse edhe ato të Kosovës të eksportohen në Shqipëri. Po ashtu, ministrat Hasani e Peleshi janë zotuar për zbatimin e marrëveshjeve të arritura më herët, por që ende nuk janë zbatuar në tërësi.
Gjatë vizitës në Shqipëri, ministri Hasani është pritur edhe nga ministri i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi, me të cilin kanë diskuar rreth rritjes dhe zhvillimit të turizmit në të dy vendet.
Hasani theksoi se në fillim të dhjetorit do të organizohet një konferencë bashkë me Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit të Shqipërisë për turizmin, ku do të ftohen edhe investitorë që të investojnë në turizëm në Kosovë e Shqipëri, ndërsa do të diskutohet edhe për sfidat e sektorit të turizmit në dy vendet. Ministri Hasani bashkë me ministren e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, janë pritur edhe nga presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, me të cilin kanë diskutuar për çështje me rëndësi për të dy vendet. Gjatë kësaj vizite të ministrit Hasani, temë diskutimi ka qenë edhe koordinimi për mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, e cila pritet të mbahet në fund të këtij muaji.