Lajme

Kryeministri Haradinaj: Jemi të interesuar për përgatitjen e ofertave për investime vendore dhe të jashtme

Prishtinë, 04/11/2017

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në kuadër të vizitave që po ju bënë ministrive, sot zhvilloi një takim pune në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, ku u prit nga ministri, Bajram Hasani dhe drejtorët e departamenteve në këtë ministri.

Gjatë vizitës, kryeministri Haradinaj u njoftua për punët dhe projektet që janë duke u zhvilluar në këtë dikaster qeveritar, si dhe për projektet që do të zhvillohen në të ardhmen.

Kryeministri Haradinaj tha se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë mbulon shumë fushëveprimtari që janë me rëndësi për jetën në vendin tonë.

“Janë me peshë të gjitha aktivitetet që bëhen nga kjo ministri jo vetëm për rregullimin e tregut, por edhe për përgatitjen e ofertave për investitorët. Kemi rezultate dhe mund të konfirmojmë se ka një dinamikë dhe po bëhet punë, një ndër to është MSA dhe të gjitha veprimet qeverisëse që i dedikohen dhe që janë në përgjegjësinë e kësaj ministrie”, tha kryeministri, duke shtuar se interesimi është për përgatitjen e ofertave për investime qofshin vendore, qofshin të jashtme.

Kryeministri Haradinaj me këtë rast përmendi edhe veprimet që duhet ndërmarrë për çështjen e privatizimit të tokës, që së bashku me ministritë dhe AKP-në, ta shqyrtojnë mundësinë që një pjesë të tokës ta lënë në dispozicion të investitorëve.

Gjatë vizitës, kryeministri Haradinaj tha se është një situatë jo fort e lehtë dhe jo fort e mirë me lejet e ndërtimit në vend.

Poashtu, kryeministri Haradinaj tha se do të bëhet edhe rishqyrtimi i Ligjit për legalizimet, në mënyrë që të sigurohet bazë dhe mundësi për një nisje të mirë zhvillimore.

Ndërkaq, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, e njoftoi kryeministrin për gjendjen në MTI, për punët  që janë bërë dhe planin se si do të veprojnë më tutje.

“U dakorduam që ta shtojmë dinamikën e punës dhe ta shtyjmë planin e MSA-së, duke marrë parasysh që Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është koordinatore e reformave ekonomike dhe udhëheqëse e Task Forcës për të Bërit Biznes”, tha ministri Bajrami.