Lajme

Ministri Krasniqi priti përfaqësuesit e Shoqatës së Qumështarëve, i njoftoi për formimin e Grupit punues për zbatimin e masave për subvencionim të disa sektorëve

Prishtinë, 01/02/2021

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi priti në takim përfaqësuesit e Shoqatës së Qumështarëve, ku biseduan për kriteret e masave specifike, konkretisht për subvencionimin e stoqeve të qumështit dhe produkteve të qumështit, si dhe të disa sektorëve tjerë.

Me këtë rast, ministri Krasniqi i njoftoi të pranishmit se duke u bazuar në vendimin e Qeverisë, të datës 14.01.2021, me numër protokolli 06/58, e kemi formuar komisionin për përgatitjen e planit dhe kritereve për zbatimin e masës së 8-të, sipas pikës 1.8, nënpika 1.8.2, që parasheh mundësinë e përkrahjes, respektivisht të subvencionimit të prodhuesve vendorë.

Sipas ministrit Krasniqi, këto subvencione për eksportin dhe prodhuesit vendorë, në vlerë prej 5 milionë eurosh, subvencionimin e stoqeve të qumështit dhe produkteve të qumështit në shumën prej 1 milionë eurosh, si dhe subvencionimin e sektorëve të gastronomisë në shumën prej 3 milionë eurosh, do të jenë stimulim për zhvillim të aktivitetit afarist të këtyre sektorëve.

Ministri Krasniqi i njoftoi përfaqësuesit e Shoqatës së Qumështarëve se për trajtimin më të hollësishëm të përkrahjes me subvencione për këto kategori, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e ka formuar Grupin punues, i cili do të përgatisë planin dhe kriteret sektoriale për zbatimin e masave specifike për ndarjen e mjeteve buxhetore për ta zbatuar Programin e Rimëkëmbjes Ekonomike për vitin 2021, të Qeverisë së Kosovës.