Lajme

MTI dhe Zyra e BE-së në Kosovë prezantojnë projektin që mbështet reformën e sektorit të shërbimeve në Kosovë

Prishtinë, 25/01/2021

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) dhe projekti i binjakëzimit i financuar nga Bashkimi Evropian “Asistencë për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit – Direktiva e Shërbimeve e BE 2006/123/EC” zyrtarisht organizuan ngjarjen lansuese të projektit, me 25 janar 2021 në mënyrë virtuale duke i respektuar masat aktuale anti-covid.

Kjo ngjarje u nderua me prezencën e ambasadorëve të Kroacisë dhe Gjermanisë në Kosovë, Përfaqësuesit të Posaçëm të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, përfaqësuesit e projektit të binjakëzimit nga të dy shtetet anëtare, zëvendësuesen e Sekretares së Përgjithshme të MTI-së, Departamenti i Tregtisë dhe Departamenti Ligjor i MTI-së.

Qëllimi i kësaj ngjarjes ishte informimi i institucioneve, komuniteti të biznesit dhe shoqatave, si dhe palëve të tjera të interesit, duke përfshirë publikun e gjerë lidhur me synimet dhe rezultatet e pritshme të projektit i cili do të zbatohet gjatë dy viteve të ardhshme.

Kosova së fundmi ka shënuar progres në fushën e digjitalizimit të tregtisë në shërbime, ku është krijuar baza e të dhënave “Pika e Kontaktit për Shërbime”, e cila mundëson lehtësimin e qasjes për të gjitha palët e interesit në kornizën ligjore që rregullon aktivitetet e shërbimeve në Kosovë, pra duke i ndihmuar të operojnë ata që tanimë janë të pranishëm në treg, si dhe ata që dëshirojnë të fillojnë të ofrojnë shërbime në Kosovë.

Në takim është theksuar se bashkëpunimi i dyanshëm në projektin e binjakëzimit “Asistencë për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit – Direktiva e Shërbimeve e BE 2006/123/EC” mund të ketë tutje ndikim pozitiv sa i përket zhvillimit të reformës së sektorit të shërbimeve në Kosovë.

Po ashtu, në takim është thënë se me përafrimin e plotë të legjislacionit vendor me Direktivën e Shërbimeve mund të hiqen shumë lloje të pengesave administrative dhe rregullative për lirinë e ofrimit të shërbimeve, si dhe  do të harmonizohen rregulloret sektoriale me Direktivën e Shërbimeve, që inkurajon thjeshtësimin dhe digjitalizimin e procedurave administrative, që e thjeshtëzon procesin e licencimit për aktivitetet specifike në sektorin e shërbimeve dhe ofrimin e të gjitha informatave në një vend.

Gjithashtu është potencuar edhe fakti se gjatë dy viteve të ardhshme, projekti i financuar nga BE do të mbështesë Qeverinë e Kosovës për të zhvilluar edhe më tutje kapacitetet e saj institucionale, në mënyrë që të krijohet bazë për një mjedis të qëndrueshëm për zhvillimin e sektorit privat në përputhje me trashëgiminë ligjore të BE dhe kërkesat e MSA.

Qëllimi i përgjithshëm i këtij projekti, i cili do të zbatohet nga konzorciumi i institucioneve relevante partnere nga Kroacia dhe Gjermania dhe nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, është të përkrahë edhe më tutje integrimin e Kosovës në ekonominë botërore dhe të fuqizojë rolin e administratës së Kosovës në qeverisjen ekonomike përmes funksioneve efektive rregullative në përputhje me obligimet e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Projekti i binjakëzimit do të mbështesë tutje zhvillimin e ekonomisë së Kosovës duke i zvogëluar ngarkesat administrative, duke vendosur një kornizë ligjore më të qartë dhe duke ofruar qasjen më të lehtë të informimit mbi rregulloret e sektorit të shërbimeve përmes Pikës së Vetme të Kontaktit.

Për më shumë, rezultatet e cekura të projektit te binjakëzimit do të kenë efekte pozitive në qasjen më të lehtë në treg për bizneset duke rritur konkurrencën e ndërmarrësve përmes dinamizmit në treg, madje duke rritur inovacionin dhe ofruar më shumë mundësi si dhe zgjedhje për konsumatorët.