Lajme

Formohen edhe dy grupe operacionale për shqyrtimin e aplikimeve për investitor strategjik

Prishtinë, 18/11/2020

Komisioni Ndërministror për Investime Strategjike, të mërkurën, mbajti mbledhjen e radhës, ku vendosi për formimin e dy grupeve operacionale për shqyrtimin e aplikimeve të investitorëve potencial strategjikë, duke u bazuar në Ligjin për investime strategjike.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, në cilësinë e Kryesuesit të Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike, tha se ky komision po punon në mënyrë intensive për shkak të modaliteteve, duke marrë parasysh rëndësinë e investimeve strategjike për Republikën e Kosovës.

Komisioni i dha dritën e gjelbër me vota unanime formimit të grupit operacional për shqyrtimin dhe vlerësimin e aplikimeve për Statusin Investim Strategjik të “Hotel Grand” për të cilin kanë shprehur interesim tre investitorë të mundshëm strategjikë: Abrazem LLC, Bau Investment LLC dhe Hill Rome LTD.

Po ashtu u votua edhe për formimin e Grupit Operacional për Sektorin e Bujqësisë në Suharekë, për të shqyrtuar aplikimin e subjektit “Frutex” SHPK, me vlerë investimi prej 12 milionë eurosh dhe investim në asetet fizike në përpunimin dhe prodhimin e produkteve nga sektori i bujqësisë për tregun vendor dhe për eksport.

Anëtarët e Komisionit, diskutuan edhe për aplikimet e subjekteve investuese për sektorin e energjisë së ripërtritshme, sektor ky që rregullohet nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).