Lajme

Në API janë pranuar 1459 aplikime për mbrojtjen e pronësisë industriale

Prishtinë, 15/09/2020

Në Agjencinë për Pronësi Industriale (API), nga 1 janari e deri më 31 gusht të këtij viti, janë pranuar 1459 objekte të pronësisë industriale, prej tyre: 1472 aplikime për Marka Tregtare, 17 aplikime për Mbrojtjen e Shpikjes, 5 aplikime për Mbrojtjen e Dizajnit Industrial dhe 1 aplikim për Mbrojtjen e Treguesit Gjeografik.

Gjatë kësaj periudhe janë lëshuar 3445 dokumente zyrtare për palët që kanë aplikuar apo që kanë paraqitur kërkesa për shërbime në Agjencinë për Pronësi Industriale, si dhe janë publikuar 6 buletine zyrtare, që përmbajnë 3157 objekte të pronësisë industriale.

Po ashtu, përmes Regjistrit Online dhe Buletinit Zyrtar, palët e interesit mund të shohin ecurinë e ekzaminimit të aplikimeve të tyre. Ndërsa palët e treta përmes këtyre mekanizmave publike mund të paraqesin kundërshtimet apo vërejtjet për aplikimet e publikuara në Buletinin Zyrtar të API-së.

Agjencia për Pronësi Industriale, që vepron në kuadër të  Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, është përgjegjëse për mbrojtjen ligjore të shpikjes, markës tregtare, dizajnit industrial, emërtimit të origjinës, treguesve gjeografikë dhe topografive të qarqeve të integruara, si dhe për çështje tjera që dalin nga marrëveshjet ndërkombëtare, nënshkruese e të cilave është Republika e Kosovës.