Lajme

Inspektorati i MTI-së monitoron vendosjen e flamujve të origjinës nëpër markete

Prishtinë, 19/01/2019

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është duke monitoruar operatorët ekonomikë për vendosjen e flamujve që tregojnë vendin e origjinës, në bazë të Udhëzimit Administrativ, që është nënshkruar nga ministri Endrit Shala më 29 dhjetor të vitit 2018.

Sot inspektorët e tregut ka qenë në terren në disa pika shitëse për të parë vendosjen e flamujve dhe po ashtu është kërkuar nga bizneset që ta bëjnë vendosjen e flamujve sa më shpejt.

Kryeinspektori i MTI-së, Lulzim Syla ka kërkuar nga bizneset që ta respektojnë Udhëzimin Administrativ të nënshkruar nga ministri Shala dhe sa më shpejt ta bëjnë vendosjen e flamujve tek malli.

Syla bashkë me inspektorët e tregut sot ka vizituar disa pika shitëse në rajonin e Prishtinës, që ka bashkëbiseduar me menaxherët e këtyre marketeve duke iu bërë me dije se monitorimi do të vazhdojë.

 “Sot kemi vizituar disa markete nëpër qytetin e Prishtinë dhe iu kemi kërkuar që ta respektojnë Udhëzimin Administrativ që është nënshkruar nga ministri Shala në dhjetor të vitit të kaluar. Në bazë të gjendjes në terren, vendosja e flamujve ka filluar në shumicën e marketve dhe ne i këshilluam se ligji duhet të respektohet që të mos detyrohemi të gjobisim”, ka thënë Syla.

Kryeinspektori ka bërë të ditur se ideja nuk është që bizneset të gjobiten, por t’iu bëhet e ditur se duhet të respektohet udhëzimi që ka hyrë në fuqi.

“Inspektorati po e kryen detyrën e vet dhe po iu tregojmë pikave shitëse se sa më parë duhet ta përfundojnë vendosjen e flamujve. Këto ditë kemi qenë në terren, por po ashtu edhe ditët në vazhdim e kemi në plan pune inspektimin e marketeve. Unë kërkoj nga të gjithë operatorët ekonomikë që ta bëjnë vendosjen e flamujve nëpër produktet që i shesin, në mënyrë që konsumatori të dijë se çka po blen dhe se çfarëdo produkti qoftë atij duhet t’i vendoset flamuri i origjinës, sepse ligji duhet të respektohet”, ka thënë Syla.