Hykmete Bajrami, ministre: dhjetor 2014 - gusht 2017

Hykmete Bajrami

MINISTRE E TREGTISË DHE INDUSTRISË


Hykmete N. Bajrami, është emëruar ministre në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, në dhjetor të vitit 2014. Para, kësaj znj. Bajrami ka shërbyer si deputete e LDK-së, në legjislaturën e IV të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku ka qenë anëtare e Komisionit për Buxhet dhe Financa. Në qershor të vitit 2014, ajo ishte rizgjedhur për herë të dytë, deputete në legjislaturën e V të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Që nga viti 2007, znj.Bajrami ishte pjesë aktive e Këshillit të Ekspertëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku fokus kryesor në kontributin e saj ishin çështjet ekonomike. Znj. Bajrami ka përvojë shumëvjeçare në organizata dhe institucione të rëndësishme ndërkombëtare dhe vendore. Në periudhën 2000-2002, ajo ka punuar në Departamentin e Tregtisë dhe Industrisë - Shtylla IV e BE/UNMIK-ut. Pastaj, gjatë periudhës 2003-2007, ajo punoi në Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit, për të vazhduar në Agjencinë  Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, deri në vitin 2009. Në vitin 2010, znj. Bajrami ka qenë këshilltare e Bankës Botërore, për Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Znj. Bajrami, studimet themelore i ka përfunduar në vitin 2000, në Fakultetin Ekonomik, Universiteti i Prishtinës, drejtimi Menaxhment dhe Informatikë, ku ka qenë bursiste e fondacionit “Xhavit Ahmeti” dhe e shpërblyer me çmimin “Studente e dalluar” nga Universiteti i Prishtinës. Studimet e magjistraturës i përfundoi në Stafordshire University, në Angli, në vitin 2003, si bursiste e “OSI-FCO-Staffordshire University”.
Në vitin 2006, filloi studimet e doktoratës, të cilat i përfundoi në vitin 2011, në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti Ekonomik. Znj. Bajrami është pjesë e stafit akademik të Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, nga viti 2004.

Znj. Bajrami është e martuar, nënë e dy vajzave.