Mimoza Kusari-Lila, ministre: shkurt 2011-tetor 2013

Mimoza Kusari-Lila

mimoza.kusari-lila@rks-gov.net

Mimoza Kusari-Lila është emëruar zëvendëskryeministre dhe ministre e Tregtisë dhe Industrisë më 23 shkurt të vitit 2011. Në detyrën e saj si Zëvendëskryeministre dhe Ministre e Tregtisë dhe Industrisë, ajo është përgjegjëse për koordinimin e reformave thelbësore ekonomike të parashikuara në Objektivat e Vizionit Ekonomik të Qeverisë së Kosovës për vitin 2011-2014, si dhe për adresimin dhe formulimin e politikave për zhvillimin e tregtisë dhe industrisë.

Para se të behej zëvendëskryeministre dhe ministre e Tregtisë dhe Industrisë, znj. Kusari – Lila është kandiduar për postin për kryetare të Komunës së Gjakovës në zgjedhjet 2009, zgjedhje këto komunale dhe shumë të kontestuara, rezultate të cilat çuan deri në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Një vit pas, në zgjedhjet e jashtëzakonshme e dhjetorit të 2010, znj. Kusari – Lila ishte femra më e votuar politikane në Kosovë.

Gjatë vitit 2006-2009, znj. Kusari-Lila ka shërbyer si drejtoreshë ekzekutive në Oden Ekonomike Amerikane në Kosovë (Am Cham). Gjatë udhëheqjes së saj në krye të AmCham, znj. Kusari zgjeroi bazën e anëtarësisë së organizatës, si dhe drejtoi akreditimin zyrtar të AmCham në Kosovë nga Oda Ekonomike e Shteteve të Bashkuara në Uashington DC, ku AmCham të Kosovës, u bë anëtare e Këshillit Evropian të Odave Ekonomike Amerikane (ECACC).

Znj. Kusari-Lila nga viti 2003-2004 ka shërbyer si zëdhënëse e kryeministrit në qeverinë e parë pas luftës në Kosovë. Para se t’i bashkohej qeverisë, ajo gjithashtu ka punuar për organizata donatore, si për Bankën Botërore dhe USAID-in, si dhe ka punuar si menaxhere e Projektit në Fondacionin për Kosovë, Universitetin Amerikan.

Mimoza Kusari-Lila ishte fituese e bursës Ron Brown nga Departamenti i Shtetit, e cila i mundësoi asaj që të magjistrojë për Administrim biznesi (MBA) në Universitetin e Duquesne në Pittsburg, ku në 2001 u specializua në e-biznes. Ajo ka mbaruar studimet e larta në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin Ekonomik, ku diplomoi më 1998 në sistemet e menaxhimit dhe informimit.

Znj. Kusari – Lila gjithashtu është një anëtare aktive e shoqërisë për çështje të barazisë gjinore dhe është e angazhuar në aktivitete të ndryshme për pjesëmarrje më të madhe të gruas në rolin e vendimmarrjes, në veçanti në angazhimin më të madh të gruas në ekonomi.

Znj. Kusari – Lila është e martuar me z. Arben Lila, dhe ata janë prindër të dy djemve, Ardit, 7-vjeç dhe Edonit, 1 vjeç.

 

E-mail:
mimoza.kusari-lila@rks-gov.net