MINISTËR I TREGTISË DHE INDUSTRISË (shkurt - shtator 2014)

Bernard Nikaj

Bernard Nikaj (1978) është kandidat për Doktor Shkence në Qeverisje Publike në Universitetin e Maastrichtit; studimet e magjistraturës në Menaxhment të Sistemeve Informative i ka përfunduar në London School of Economics (LSE), si përfitues i bursës Chevening të Zyrës së Jashtme Britanike, ndërsa studimet themelore në Ekonomi në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Nga viti 2009, është ligjërues i angazhuar i Ndërmarrësisë dhe Menaxhimit të Projekteve në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të Universitetit të Prishtinës.

Z.Nikaj është emëruar në postin ministrit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës, në shkurt të vitit 2014. Përpara se të emërohet në pozitën e ministrit, z.Nikaj ka shërbyer në pozitën e zv. ministrit, i emëruar pas tre vjetëve si këshilltar i lartë politik dhe shefit të Kabinetit të zv. kryeministres për Ekonomi dhe ministres së Tregtisë dhe Industrisë.

Z.Nikaj ka përvojë shumëvjeçare në projekte që kanë për qëllim zhvillimin e sektorit publik. Ai ka qenë i angazhuar si konsulent i qeverisjes ekonomike  dhe financiare i shumë projekteve teknike të financuara nga Bashkimi Evropian, Banka Botërore, USAID-i dhe DFID. Po ashtu, ai ka përvojë edhe në Ministrinë e Financave, ku është marrë intensivisht me sistemin e planifikimit buxhetor, me çështjet e reformimit të sistemeve të auditimit dhe kontrollit të brendshëm financiar, me organizim dhe funksionim e sektorëve të zhvillimit ekonomik, në kuadër të strukturave qeverisëse si dhe me reformën e administratës publike në nivel vendor dhe ndërkombëtar. Për më tepër, ai është angazhuar në iniciativa të shoqërisë civile për përdorim të teknologjive informative në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies së proceseve qeverisëse dhe ka përvojë me kompani “start-up”, posaçërisht në fushën e teknologjive të reja.

Ministri Nikaj jeton në Prishtinë, me gruan Rozafën dhe dy fëmijët Rronin dhe Gjinin.

 

E-mail:
bernard.nikaj@rks-gov.net