Aktivitet e Ministrisë

Turizmi kosovar prezantohet në Panairin Mesdhetar të Turizmit në Tiranë

Prishtine, 08/04/2017

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në  Kosovë  (KIESA), po merr pjesë në "Panairin Mesdhetar të Turizmit - Tirana 2017”,  i cili do të  jetë  i hapur për dy ditë  rresht, me 8 dhe 9 prill, në ExpoCity në  Tiranë.

Panairi Mesdhetar i Turizmit në Tiranë është një mundësi e shkëlqyer të cilën KIESA po e shfrytëzon për t’i njoftuar operatorët e huaj turistik dhe pjesëmarrësit e interesuar me mundësitë e shumta që Kosova ofron në fushat e eko-turizmit, trashëgimisë kulturore, turizmit dimëror, vizitave të qyteteve dhe paketave tjera të ndryshme turistike.

Ky panair është një nga ngjarjet më të rëndësishme turistike të rajonit, dhe qëllimi kryesor i tij është promovimi i destinacioneve turistike nëpërmjet prezantimeve, konferencave dhe aktiviteteve B2B, si dhe nxitja e bashkëpunimit ndërmjet pjesëmarrësve.

Panairi Mesdhetar i Turizmit- Tirana 2017 do të mbulojë gjashtë fushat kryesore të turizmit siç janë: Akomodimi,  Agjencitë Turistike, Turizmi Detar, Turizmi Malor dhe Gastronominë.

Krahas Kosovës, në këtë panair po marrin pjesë edhe shtetet si:  Shqipëria, Kroacia, Greqia, Turqia, Italia, Mali i Zi, Maqedonia, Bosnje-Hercegovina, Franca, Spanja, Gjermania, Zvicra, Austria etj.

Panairi është organizuar për herë  të  parë  në  Shqipëri nga Expocity Albania në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes së Shqipërisë.