Aktivitet e Ministrisë

Ministrja Bajrami mori pjesë në tryezën “Njëvjetori i MSA-së: Mësimet e nxjerra dhe hapat e mëtutjeshëm”

Prishtine, 07/04/2017

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, mori pjesë në tryezën "Njëvjetori i MSA-së: Mësimet e nxjerra dhe hapat e mëtutjeshëm” organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane.

Para të pranishmëve, ministrja Bajrami foli për rezultatet e arritura nga MTI dhe dikasteret e saj në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Në kuadër të prezantimit të rezultateve të arritura, ministrja Bajrami tha se është bërë shumë në informimin e bizneseve për përfitimet dhe kriteret e MSA-se. 

Ministrja Bajrami theksoi se me qëllim të qasjes më të lehtë të produkteve vendore në tregun e BE-së, është duke u zbatuar projekti për certifikim e produkteve me standarde të cilësisë ku deri më tani janë certifikuar 97 produkte. Në këtë drejtim, ministrja Bajrami theksoi se po negociohet një kredi për ngritjen e kapaciteteve të infrastrukturës së cilësisë brenda MTI-së, qëllimi i së cilës është që institucionet të bëhen anëtare në organizata ndërkombëtare në mënyrë që të njihen certifikatat e Kosovës.

Më tutje, ministrja Bajrami tha se ka pasur bashkëpunim të vazhdueshëm me komunitetin e biznesit për pakon e re fiskale, ku si rezultat kemi 22 masa tё përfshira në këtë pako. Janë bërë hapa konkret edhe rreth lehtësimit të qasjes në financa për ndërmarrjet të cilat besojmë që do ta rrisin aktivitetin ekonomik, theksoi ministrja Bajrami.  

Po ashtu, ministrja Bajrami nënvizoi se, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ka mundësuar pjesëmarrjen e ndërmarrjeve të ndryshme në panaire, ku si rezultat janë nënshkruar kontrata të ndryshme për eksport.