Aktivitet e Ministrisë

Zëvendësministri Nehat Mustafa mori pjesë në Samitin e 20-të Euroaziatik Ekonomik

Prishtine, 07/04/2017

Zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Nehat Mustafa, mori pjesë në Samitin e 20-të Euroaziatik Ekonomik, i cili u mbajt në Stamboll të Turqisë prej 4 - 6 prill 2017.

Samiti Euroaziatik Ekonomik synon të nxisë mënyrat e rritjes së marrëdhënieve në mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Azisë Qendrore, të Afrikës dhe të Amerikës.

Samiti u organizua nga Fondacioni Marmara Group, agjenda e të cilit përmbante tema aktuale të cilat u diskutuan në panele me udhëheqës të klasit botëror. Gjithashtu, në panelet e diskutimit morën pjesë edhe hartues të politikave publike dhe folës të shquar nga publiku, sektorit privat, si dhe nga akademia. Me shumë interes janë pritur edhe diskutimet e ministrave të Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri dhe Mahir Jagxhillar.

Zëvendësministri, Nehat Mustafa, gjatë këtij Samiti u takua me diplomatë e afaristë nga vendet e BE-së, Ballkanit, Amerikës, Afrikës e Kinës,  me të cilët ndau të arriturat dhe reformat që institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës kanë bërë në drejtim të zhvillimeve ekonomike, politike, dhe integrimeve evropiane. Të veçanta ishin takimet me presidentin Shqipërisë, Bujar Nishanin dhe ish-presidentin Bamir Topi, si dhe ish-presidentin e Kroacisë, Stipe Mesiç.

Po ashtu, zëvendësministri Mustafa pati rastin të ketë takime edhe me përfaqësues të diasporës shqiptare nga vendet e Bashkimit Evropian dhe Turqia, me të cilët ka diskutuar për mënyrat më të mira për të lidhur dhe forcuar më tej urat e bashkëpunimit në fushën ekonomike .