Aktivitet e Ministrisë

Ministrja Bajrami mori pjesë në panelin diskutues me rastin e prezantimit të rezultateve të studimit “Bottleneck-fytet e ngushta” 

Prishtine, 15/03/2017

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, mori pjesë në prezantimin e rezultateve të studimit “Bottleneck - fytet e ngushta”, të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës, studim vjetor i bërë me qëllim të identifikimit të barrierave të bizneseve në Kosovë.

Të pranishëm në panelin diskutues ishin edhe: ministri i Financave, Avdullah Hoti, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, drejtori Administratës Tatimore të Kosovës, Sakip Imeri, drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, përfaqësuesi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Ilir Berisha, si dhe përfaqësues të bizneseve dhe ambasadave të huaja në Kosovë. 

Në fjalën e saj, ministrja Bajrami falënderoi Odën Ekonomike të Kosovës për një studim të tillë dhe bashkëbisedim me vetë bizneset, në identifikimin e barrierave. Ajo tha se ky studim do t’i shërbejë Qeverisë së Republikës së Kosovës në procesin e politik-bërjes ekonomike.  

Më tej, znj. Bajrami shtoi se në kuadër të programit qeveritar, e kemi përmirësuar ndjeshëm ambientin e biznesit dhe kemi marrë parasysh kërkesat e bizneseve, qofshin ato të natyrës administrative apo të formave tjera. 

Ministrja Bajrami theksoi se është duke u punuar mjaft në shumë fusha; përmes zhvillimit të zonave ekonomike, adresimit të çështjes së kostos së lartë të energjisë elektrike, sepse pikërisht kostoja shtesë e bizneseve nga ndërpreja e energjisë elektrike dhe kostot e kyçjes vazhdojnë të mbesin si barriera primare për bizneset në Kosovë.

Në bashkëpunim të vazhdueshëm në mes të institucioneve dhe bizneseve, kontribut të madh mund të jap vetë komuniteti i biznesit, duke punuar së bashku me institucionet e Kosovës në lehtësimin e këtyre barrierave, me qëllim të përmirësimit të ambientit të biznesit në Kosovë, shtoi ajo.