Aktivitet e Ministrisë

Shënohet Dita Botërore e Konsumatorit

Prishtine, 15/03/2017

Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Konsumatorit, ka mbajtur tryezën me temë “Projektligji për Mbrojtjen e Konsumatorit”.

Udhëheqësi i Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit në MTI, Nijazi Shala, foli për simbolikën e Ditës Ndërkombëtare të Konsumatorit duke bërë të ditur se ajo ka fituar peshën dhe inspirimin për herë të parë nga një fjalim i Presidentit të dikurshëm të SHBA-ve John Kenedy, të mbajtur pikërisht para 55 vitesh, apo me datën 15 Mars1962. 

“Në ketë mënyrë, duke ngritur vetëdijen për herë të parë globalisht mbi të drejtën e konsumatorit, ndërsa vet kremtimi i kësaj Dite në mënyrë aktive jubilare përmes mobilizimit, njihet pastaj si fenomen që nga viti 1983”, tha z. Shala. 
Ai më tutje ka thënë se Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit në MTI, gjithherë në koordinim të përafërt me Këshillin për Mbrojtjen e Konsumatorit, kanë bërë përpjekje që të organizohen së bashku për shënimin e kësaj dite. 

Gjatë fjalës së tij, z. Shala, theksoi se ka shënuar rritje numri i ankesave prej konsumatorëve, duke bërë të ditur se në vitin 2016 kanë qenë 250 ankesa, kurse në dy muajt e parë të këtij viti janë paraqitur rreth 60 sosh.

Agron Maxhuni, u.d. i Sekretarit të Përgjithshëm në MTI ka thënë se janë tri shtylla të cilat e sigurojnë konsumatorin, duke përmendur shëndetin e konsumatorit, sigurinë dhe mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit.
Maxhuni ka theksuar se kanë numër të konsiderueshëm të ankesave të konsumatorëve për cilësinë e produkteve dhe çështje tjera të cilat kanë të drejtë të adresohen.

“Ne po punojmë me organizata të shoqërisë civile që të jenë në koordinim me qeverinë dhe shoqërinë civile. Kemi 30 ligje të cilat prekin drejtpërdrejtë konsumatorin dhe shumë shpejt këto ligje do të jenë aktive për qytetarët”, ka thënë Maxhuni.

Selatin Kaçaniku nga Organizata “Konsumatori” tha se Projektligji për Mbrojtjen e Konsumatorit do të procedohet në Kuvend më 31 mars.

“Projektligji për temën e mbrojtjes së konsumatorit është shembull për atë që ne si shtet mund ta krijojmë. Ky ligj do të shkojë me 31 mars të procedohet në Kuvend”, tha Kaçaniku, duke folur për rëndësinë dhe përgjegjësitë që i takojnë institucioneve në shërbim të mbrojtjes së të drejtave të konsumatorit.