Aktivitet e Ministrisë

Ministrja Bajrami priti në takim një delegacion të parlamentarëve britanezë

Prishtinë, 16/02/2017

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, bisedoi sot në Prishtinë me një delegacion të parlamentarëve nga Britania e Madhe, në përbërje: Martin Vickers, Nick Dakin, Andrew Rosindell, Baroness Barker dhe Earl of Sandwich.

Temë qendrore e takimit ishte eksplorimi i mundësive për thellimin e bashkëpunimit ekonomik në mes të Republikës së Kosovës dhe Britanisë së Madhe. 

Ministrja Bajrami i njoftoi parlamentarët nga Britania e Madhe me reformat e rëndësishme strukturore që janë ndërmarrë deri tani nga Qeveria e Kosovës. Ajo tha se kemi shënuar rezultate inkurajuese në përmirësimin e ambientit të biznesit në vendin tonë.

Në mes tjerash, ministrja Bajrami përmendi infrastrukturën e përshtatshme ligjore që është ndërtuar, reduktimin e barrierave administrative, përmirësimin e infrastrukturës, politikat fiskale mjaft favorizuese për bizneset, etj. Të gjitha këto ndryshime pozitive kanë ndikuar që Kosova të vlerësohet nga organizma të rëndësishëm ndërkombëtar si vend me kushte të favorshme për afarizëm dhe investime, tha Bajrami, e cila ua shpjegoi bashkëbiseduesve potencialin e madh që posedon vendi ynë për investitorët britanez në shumë sektorë të rëndësishëm të ekonomisë së Kosovës, si: agrobiznes, teknologji informative, turizëm, energji dhe miniera, tekstil, etj. 

Në anën tjetër, parlamentarët nga Britania shprehën interesimin e tyre për të intensifikuar bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës në të mire të rritjes së investimeve të firmave britaneze në Kosovë dhe u ndanë të kënaqur me gatishmërinë dhe përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të bashkëpunuar ngushtë në arritjen e këtij synimi në interes të të dyja vendeve.