Aktivitet e Ministrisë

Ministrja Bajrami flet për mundësitë që ofron Ligji për Investime Strategjike në tërheqjen e investimeve  Prishtinë

Prishtinë, 15/02/2017

Ministrja  e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, mori pjesë në takimin e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, ku temë diskutimi ishte rëndësia e Ligjit për Investime Strategjike në realizimin e projekteve të mëdha investive në Republikën e Kosovës.

Pjesëmarrës në këtë takim ishin përfaqësues të shumtë të bizneseve, organizatave të donatorëve, mediave, etj.    
Në fjalën e saj, ministrja Bajrami theksoi se Ligji për Investime Strategjike e ka shtuar ofertën dhe atraktivitetin e Kosovës para investitorëve. Ky ligj, tha ministrja, i mundëson Qeverisë që të negociojë drejtpërdrejt me investitorët e huaj dhe ata vendorë. Motivi për nxjerrjen e këtij mekanizmi është bërë me qëllim të zvogëlimit të procedurave burokratike të cilat e reduktojnë kohën dhe koston e realizimit të investimeve në projekte të mëdha, nënvizoi ajo. Implementimi i Ligjit për Investime Strategjike të ndikojë edhe në rritjen e transparencës lidhur me dhënien e aseteve në shfrytëzim për investime, për shkak se janë dy mundësi: njëra, që Qeveria të përgatis një listë të projekteve strategjike me të cilat mund t’iu qaset investitorëve dhe kompanive serioze. Ndërsa, qasja ose opsioni tjetër të cilin e ofron ligji është që investitorët e ndryshëm të cilët mund të jenë të interesuar për asete të cilat janë në pronësi komunale, shtetërore, apo shoqërore, mund t’i adresojnë projektet e tyre te Qeveria e Republikës së Kosovës me kërkesë që të bëjnë investime në këto asete. 
Ministrja  Bajrami, theksoi po ashtu se ky ligj ofron mundësi të njëjta për të gjithë investitorët e jashtëm dhe të brendshëm, dhe i informoi pjesëmarrësit edhe për procedurat që janë paraparë për sa u përket negociatave lidhur me dhënien e aseteve në shfrytëzim për investime në projekte strategjike.