Ministria e Tregtisë dhe Industrisë organizon Konferencën “Ambienti i Biznesit 2017”

Prishtine, 11/02/2017

Sot në Prishtinë u mbajt konferenca “Ambienti i Biznesit 2017” e organizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht agjencia KIESA, në kuadër të ditëve të biznesit të vogël.

Në këtë konferencë morën pjesë qindra biznese kosovare dhe të huaja që operojnë në Kosovë, asociacione dhe shoqata të biznesit, përfaqësues të donatorëve ndërkombëtarë, etj.

Konferenca u hap nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i cili në adresimin e tij para të pranishmëve tha se Kosova ka shënuar përparime të rëndësishme ekonomike. Ai shtoi se së shpejti Kosova nuk do të konsiderohet si vend i varfër por si një vend me të ardhura mesatare sipas parametrave të institucioneve ndërkombëtare financiare, sikurse FMN, Banka Botërore, etj. Më tej, kryeministri Mustafa nënvizoi se përmes përmirësimeve të mjedisit afarist, politikave fiskale dhe partneritetit me bizneset, Kosova ka shënuar rritje ekonomike prej 4% gjatë vitit 2015 dhe 2016, që është rritja më e lartë në rajon. Dhe për këtë, ai i përgëzoi në radhë të parë afaristët kosovarë. Kryeministri shtoi se produktet tona janë mjaft dinjitoze si në aspektin e dizajnit, ambalazhit po ashtu edhe në aspektin e cilësisë dhe kështu ato nuk mbeten aspak prapa atyre të huaja. Z. Mustafa përmendi edhe përmirësimet e shumta që janë arritur në fusha të ndryshme, si avancimi i infrastrukturës rrugore, avancimi i infrastrukturës ligjore, etj., dhe potencoi faktin se rritja ekonomike tashmë po vjen si rezultat i aktivitetit ekonomik të sektorit privat. Ai nënvizoi se Qeveria e Republikës së Kosovës e ka rritur buxhetin për investime kapitale për 50% dhe këto investime, tha ai, do të kthehen në rritje ekonomike për vendin tonë. Si rezultat i zhvillimeve pozitive, kryeministri tha se kemi rënie të konsiderueshme edhe të papunësisë në vendin tonë nga 35% në shifrën 26%. Ai po ashtu përmendi edhe trendin pozitiv të rritjes së bizneseve të regjistruara në Kosovë dhe shtoi se numri i bizneseve që regjistrohen brenda vitit në Kosovë në krahasim me numrin e atyre, që shuhen është me i larti në rajon dhe me gjerë, tha ai, duke shtuar se gjatë vitit 2016 numri i bizneseve të regjistruara ishte 10 549, ndërsa i atyre të shuara vetëm 2,379, që në krahasim me vendet e rajonit dhe më gjerë Kosova ka bilancin më pozitiv të bizneseve të reja të regjistruara.

Në fjalën e saj, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, foli për ndryshimet pozitive që janë bërë deri tani si dhe për planet e projektet që janë paraparë të realizohen gjatë vitit 2017 të cilat do ta avancojnë më tej mjedisin e të bërit biznes dhe do të sigurojnë rritje të konsiderueshme ekonomike në vendin tonë. “Qeveria e Kosovës ka bashkëpunuar shumë me komunitetin e biznesit; përmirësimet e bëra janë kërkesat e juaja në takimet tona të përditshme, dhe janë të pakta masat që ne kemi ndërmarrë dhe nuk kanë qenë kërkesë e juaja e kamotshme” u tha bizneseve ministrja Bajrami.   

Më tej, ministrja Bajrami theksoi se “Jemi sot këtu për të konfirmuar se në vendin tonë asnjëherë nuk ka qenë më i mirë ambienti i biznesit.” Ajo shtoi se në arenën afariste ka hapësirë për të gjithë ndërmarrësit por jo të gjithë mund të jenë të suksesshëm. Ministrja Bajrami më tutje shpalosi punën dhe projektet e realizuara nga agjencitë dhe departamentet e ministrisë që ajo drejton dhe tha se të gjitha njësitë organizative të MTI-së kanë përmirësuar shërbimet e tyre karshi bizneseve. Ajo potencoi se po e zbatojmë me sukses MSA-në; po e finalizojmë Strategjinë e Sektorit Privat, si dhe përmendi një sërë ligjesh dhe aktesh nënligjore të cilat janë përmirësuar në të mirë të sektorit privat, si: Ligji për Falimentim, Ligji për Shoqëritë Tregtare, Ligji për Investime Strategjike, etj. Ajo tha se jemi duke punuar me intensitet të lartë edhe në ndërtimin e zonave industriale, në certifikimin e produkteve me certifikata ndërkombëtare të cilësisë, në promovimin e produkteve kosovare nëpër panaire, në avancimin e infrastrukturës së cilësisë, rritjen e efikasitetit të inspektoratit të tregut dhe mbrojtjes së konsumatorit, si dhe shumë angazhime tjera, të cilat po i japin shtytje fuqizimit të ndërmarrjeve dhe rritjes ekonomike në vendin tonë. Drejtori i agjencisë KIESA e cila funksionon në kuadër të MTI-së, Besian Mustafa, shpalosi para bizneseve pjesëmarrëse programin e panaireve që do të organizohen gjatë këtij viti si dhe aktivitetet tjera të MTI-së fuqizimin e ndërmarrjeve, rritjen e eksportit dhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte.

Në konferencë morën pjesë edhe ministrat: Avdullah Hoti, Memli Krasniqi, Valon Murati të cilët shpalosën para bizneseve të arriturat e deritashme si dhe projektet zhvillimore që do të realizohen gjatë vitit 2017 nga dikasterët që ata drejtojnë.