Aktivitet e Ministrisë

MTI dhe MF intensifikojnë bashkëpunimin për projektin e unifikimit të numrit të biznesit

Prishtinë, 08/02/2017

Në kuadër të reformës të Qeverisë së Republikës së Kosovës për përmirësimin e klimës në të bërit biznes, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami; ministri i Financave Avdullah Hoti;

zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi;  u.d. Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Agron Maxhuni; drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Sakip Imeri; si dhe  drejtori i Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK), Gazmend Mejzini,  janë takuar sot për të diskutuar për projektin e përbashkët të këtyre institucioneve për unifikimin e numrit të biznesit, që nënkupton se numri i regjistrimit të biznesit është i njëjtë me numrin  fiskal dhe do të shërbejë si numër identifikues i biznesit.

Me këtë rast, u bë e ditur se me unifikimin e numrave të ndryshëm të biznesit, në një numër të vetëm, parashihet që ky numër  të aplikohet në të gjitha procedurat e aktivitetit biznesor, që  do t’ua lehtësojë edhe më shumë aktivitetin ndërmarrësve.

Ministri Hoti dhe ministrja Bajrami u dakorduan që përfaqësuesit e dy ministrive konkretisht nga ATK dhe ARBK të bëjnë përgatitjet e duhura për këtë çështje dhe muaji shkurt të jetë definues për t’u përfunduar unifikimi i numrit,  në mënyrë që bizneset të kenë kohë që deri në fund të vitit 2017 të jenë të pajisur me numrin e unifikuar.

Po ashtu gjatë takimit u diskutua se unifikimi i numrit do të ndikojë në luftimin e  ekonomisë joformale në Kosovë si dhe do të jetë një lehtësim  për bizneset huaja të cilat duanë të investojnë në vendin  tonë.