Ministrja Bajrami u takua me udhëheqësit e Doganës së Kosovës

Prishtine, 03/02/2017

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, priti në takim udhëheqësit e Doganës së Kosovës në krye me u.d. të drejtorit të përgjithshëm, Fahri Gashi. Në takim u bisedua lidhur me forcimin e bashkëpunimit në mes të MTI-së dhe Doganës në lehtësimin e tregtisë, luftimin e informalitetit dhe evazionit fiskal në Republikën e Kosovës.

Ministrja Bajrami i informoi udhëheqësit e Doganës me punën e bërë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në drejtim të lehtësimit të punës së bizneseve, lehtësimit të tregtisë me vendet e CEFTA-s dhe ato të Bashkimit Evropian përmes Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, si dhe me rritjen e angazhimit të Inspektoratit të Tregut sa i takon kontrollimit të cilësisë së karburanteve që tregtohen në Republikën e Kosovës. Ajo shtoi se MTI ka finalizuar udhëzimin e ri administrativ për cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës përmes të cilit kompetencat e kontrollit të cilësisë së karburanteve në pikat kufitare do të kalojnë te Dogana e Kosovës ashtu siç parashihet në Ligjin për Kërkesat Teknike për Produkte dhe Vlerësim të Konformitetit dhe të Kodit Doganor dhe të Akcizave në Kosovë.

Përfaqësuesit e Doganës shprehën zotimin e tyre për të intensifikuar bashkëpunimin me MTI-në përmes angazhimeve të përbashkëta institucionale dhe thanë se hyrja në fuqi e udhëzimit administrativ për cilësinë e karburanteve do të kontribuojë seriozisht në kontrollimin efikas të cilësisë së karburanteve dhe uljen e evazionit fiskal në këtë sektor të rëndësishëm.