Lajme

Ministrja Bajrami merr pjesë në konferencën e IV-të ndërkombëtare me temë “Aktivizimi i Burimeve të Rritjes Ekonomike”

Prishtinë, 15/05/2017

Ministrja Hykmete Bajrami mori pjesë në konferencën e IV-të ndërkombëtare me temë “Aktivizimi i Burimeve të Rritjes Ekonomike”, të organizuar nga Instituti Riinvest.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami fillimisht bëri një retrospektivë të zhvillimeve ekonomike të Kosovës, që nga viteve e 60-ta e deri më tani,  ku duhet të potencohen vitet e 90-ta kur ekonomia e Kosovës ka pasur një komë ekonomike dhe se ky ka qenë dëmi më negativ që Serbia ka mundur t’ia bëjë  Kosovës, duke mbyllur  të gjithë sektorin e ekonomisë. Ndërsa, sipas ministres Bajrami, në vitin 2000 fillon një profil i ri i industrisë, i cili nuk është përcjellë me politika të mira ekonomike dhe fiskale.

Ajo më tej ka shtuar “Përkundër këtyre, ne, me marrje e mandatit kemi punuar ndryshe pikërisht kemi vë standarde dhe jemi munduar që të vëmë barabarësi në aspektin e politikave fiskale për prodhuesit dhe për tregtarët dhe se kjo ka dhënë menjëherë rezultatet e veta”, tha Bajrami.

Ndërsa për ambientin e biznesit, ministrja Bajrami theksoi se përmirësimi i ambientit të biznesit nuk është përgjegjësi vetëm e një ministrie, por është përgjegjësi e të gjithëve, si e nivelit qendror, e nivelit lokal, por edhe e institucioneve tjera rregullative. “Kemi punuar me ndihmën e donatorëve dhe shumë institucioneve kredibile, siç janë Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, USAID, donatorë të tjerë dhe Zyrës së BE-së, duke i koordinuar këto reforma dhe se vetëm në këtë formë ne kemi arritur mjaft rezultate”, potencoi ministrja Bajrami.

Ajo më tej përmendi të arriturat e ministrisë që ajo e drejton, duke shtuar se Banka Botërore e ka ngritur Kosovën përgjatë kësaj periudhe, për 26 pozita, ndërsa Fondacioni Heritage në indeksin e lirisë ekonomike e ka ranguar Kosovën për 34 pozita më lart sesa vitin paraprak, si dhe raporti i Odës Ekonomike ka vënë në pah zhvillimet pozitive në të bërit biznes. Kemi punuar shumë në eliminimin e burokracisë, duke unifikuar numrin e bizneseve, nga katër numrat të ndryshëm të bizneseve i kemi unifikuar në një numër të vetëm, që merret në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, i cili i identifikon bizneset tek të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës. Po ashtu i kemi përmirësuar dukshëm shërbimet në fushën e regjistrimit të markave tregtare, ku gjatë këtij mandati janë trajtuar 28 mijë lëndë në Agjencinë e Pronësisë Industriale, që kanë qenë të grumbulluara nga viti 2008. Në kuadër të KIESA-s dhe me ndihmën e donatorëve po e implementojmë projektin e certifikimit të produkteve, ku përmes këtij projekti, që mbështetet nga BERZH, po punojmë që ndërmarrjet tona t’i certifikojnë produktet e tyre sipas standardeve të cilësisë. Presim së shpejti nga Banka Botërore aprovimin e projektit  prej 15 milionësh për infrastrukturën e cilësisë dhe reformën e inspektimeve, ku kemi paraparë që përmes reformës së inspektimeve të reduktohet numri i trupave inspektuese nga 38 që janë aktualisht në 14 trupa.

Më tej, znj. Bajrami foli edhe për funksionalizimin e Fondit për Garanci Kreditore, i cili ka bërë një diferencë sa i përket qasjes në financa, ku MTI ka kontribuar me tre milionë euro në Fond, ndërsa pjesa më e madhe ka ardhur nga donatorët, si dhe kontributi i qeverisë me 3 milionë tjera, në tri vitet e ardhshme, ku janë 200 kredi të lëshuara deri tani nën ombrellën e Fondit.

Në mes tjerash, ministrja bëri të ditur edhe trendët pozitivë të tregtisë me shërbime, që po shënojnë rritje, ku janë 1 miliard e 38 milionë euro eksport i shërbimeve në vitin 2016, ndërsa importi është më i vogël se 500 milionë euro.